Për vetëm 40 vota, Juniku shkon në balotazh – Ruzhdi Shehu i LDK-së akuzon AAK-në për propagandë dhe shpifje

Në Komunën e Junikut do të zhvillohet balotazhi më 9 nëntor, pasi gara mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është mbyllur me një diferencë të ngushtë prej rreth 40 votash. Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas rezultateve të raundit të parë, duke…

Lajme

23/10/2025 22:20

Në Komunën e Junikut do të zhvillohet balotazhi më 9 nëntor, pasi gara mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është mbyllur me një diferencë të ngushtë prej rreth 40 votash.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar pas rezultateve të raundit të parë, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke akuzuar kundërshtarët politikë për “fushatë të ulët dhe shpifje”, transmeton lajmi.net.

Sipas Shehut, LDK-ja ka fituar rreth 49% të votave, duke lënë pas AAK-në me rreth 38.9%, që përkthehet në një epërsi prej 372 votash. “LDK-ja ka dominuar dukshëm në Junik, por për shkak të 40 votave do të kemi balotazh. Puna jonë nuk ndalet,” shkruan ai.

Në reagimin e tij publik, Shehu shprehet i zhgënjyer me mënyrën se si, sipas tij, AAK-ja po e zhvillon fushatën: “Në mungesë të programit dhe argumenteve, ata po publikojnë shkrime në rrjetet sociale ku po përmendin vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe motrat tona. Paradite ofendojnë, ndërsa pasdite kërkojnë votën.”

Shehu paralajmëroi se LDK-ja do të dorëzojë dhjetëra kallëzime penale dhe padi civile ndaj eksponentëve të AAK-së për “blerje votash, manipulim të votuesve, shpifje dhe fyerje”. “Z. Kuçi nuk do të humbë vetëm zgjedhjet në Junik, por edhe betejat gjyqësore që e presin,” tha ai.

Duke u bërë thirrje qytetarëve të Junikut që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve, kandidati i LDK-së theksoi se “Juniku është i junikasve dhe askush nga jashtë nuk mund të vendosë kush është apo jo i Junikut.”

“Me qetësi, por me vendosmëri si asnjëherë më parë, ne do ta mbrojmë Junikun deri në sekondën e fundit dhe nuk do të lejojmë askënd të përdhosë familjet tona dhe nderin tonë,” përfundoi Shehu, duke shtuar moton e fushatës së tij: “Të bashkuar kundër propagandës dhe shpifjeve, vazhdojmë +4″./lajmi.net/