Për rastin e shqiptarit që iu pre koka, arrestohet njëri prej tre autorëve

Pas marrjes në pyetje nga policia greke të shtetasit shqiptar që është arrestuar në lidhje me krimin makabër të ndodhur në një stan pranë Janinës, ku 26 vjeçarit nga Skrapari iu pre koka, është arrestuar sot njëri prej tre autorëve.

Lajme

23/05/2016 17:07

Gjatë dëshmisë në hetuesi, 28-vjeçari shqiptar ka deklaruar se ka qenë i pranishëm në vrasjen e Terpollarit.

Ai ka treguar se tre persona të armatosur, edhe ata shqiptarë, e kishin detyruar me forcë t’u tregonte se ku ndodhej stani, e kishin marrë me vete dhe për rrjedhojë ai e kishte parë nga afër vrasjen dhe madje prerjen e kokës.

Burime policore bëjnë me dije për mediat greke se ai u ka treguar hetuesve edhe vendin ku e kanë groposur. I arrestuari ka dëshmuar gjithashtu se vrasja është kryer për çështje të lidhura me trafikun e lëndëve narkotike dhe se vrasësit janë larguar nga vendngjarja me makinë drejt kufirit shqiptar. Policia greke vazhdon hetimet për gjetjen e tyre.

Disa ditë më parë babai i të vrarit u shpreh se kishte marrë para borxh për të sjellë trupin e djalit nga Greqia, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve që të gjejnë kokën e të birit.