Për herë të parë që nga shkurti, Lewandowski nuk shënon në një ndeshje për Bayern

Bayern regjistroi fitoren e pestë me radhë në Bundesliga, duke triumfuar ndaj skuadrës së fundit në tabelë, Greuther Feurth me rezultat 3-1.

Sport

24/09/2021 23:09

Ndonëse ‘bavarezët’ shënuan fitore, Robert Lewandowski më në fund u nda nga goli me ekipin bavarez pas një kohe të gjatë.

Sulmuesi polak ishte në një ecuri prej 19 ndeshjeve radhazi duke realizuar së paku një gol në të gjitha garat, 15 prej të cilave vinin vetëm në Bundesliga, gjersa ai i dha fund sonte kësaj ecurisë pasi nuk realizoi ndaj Feurthit.

Në fakt ai ishte fare pranë të shënonte pasiqë edhe goli i tretë fillimisht u regjistrua si i tij, mirërpo pas rishikimit doli se para tij topin e kishte prekur lojtari kundërshtar, që bëri që goli t’i hiqej Lewas.

Kjo ecuri e shënimit e Lewandowskit filloi që nga 11 shkurti, kur kishte dështuar të shënonte për herë të fundit, dhe që atëherë ai kishte shënuar në 19 ndeshje të njëpasnjëshme deri më sot.

Dëshpëruese për polakun mund të jetë edhe fakti që nuk arriti të barazonte rekordin e Gerd Muller i cili e mbante me 16 ndeshje radhazi duke realizuar së paku një gol, gjersa ai e mbyll këtë me 15.

Lewandowski ka shtatë gola të shënuara pas gjashtë xhirove në Bundesliga këtë sezon, aq sa ka edhe Erling Haaland i Dortmundit i cili do të kërkoj ta tejkaloj me gola kur skuadra e tij do të luajë ditën e nesërme (e shtunë) ndaj Monchengladbach nga ora 18:30.