​Kandidatura e Kosovës për BE, Zulfaj: Zgjerimi i bazuar në meritë duhet të vlejë për të gjithë

Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, ka kritikuar Brukselin zyrtar për mos njohje të progresit të arritur në procesin e anëtarësimit të vendit në familjen e madhe evropiane. Edhe pse ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa statusin e vendit kandidat. Kjo…

Lajme

16/11/2026 19:34

Jeton Zulfaj, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, ka kritikuar Brukselin zyrtar për mos njohje të progresit të arritur në procesin e anëtarësimit të vendit në familjen e madhe evropiane.

Edhe pse ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor 2022, Kosova mbetet i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa statusin e vendit kandidat.

Kjo është ajo që kryeministri Albin Kurti nënkupton kur thotë: “Statusi i Kosovës në procesin e anëtarësimit në BE nuk e pasqyron përparimin e saj”, ka shkruar Zulfaj në një status në platformën X.

Zulaj thotë se pesë tregues ndërkombëtarë që mbulojnë sundimin e ligjit, liritë demokratike, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shtypit dhe zgjedhjet, Kosova ka shënuar përmirësime gjatë periudhave përkatëse.

“Përparimi duhet të njihet. Reformat duhet të shpërblehen. Zgjerimi i bazuar në meritë duhet të vlejë për të gjithë. Kosova është e gatshme të ndërmarrë hapin tjetër drejt anëtarësimit në BE”, ka përfunduar ai.

Kosova ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim në dhjetor 2022, por ajo nuk është shqyrtuar ende.

Ndërkohë, Shqipëria ka hapur grup-kapitullin e fundit të negociatave, duke hyrë në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit. Për Shqipërinë, Komisioni Evropian vlerëson se përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027 është i mundshëm.

Ndërsa, Mali i Zi, sipas Komisionit Evropian, mund t’i përmbyllë negociatat e aderimit deri në fund 2026. Nëse përmbushen kushtet e kërkuara, marrëveshja e anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor 2027, ndërsa pranimi në BE më 2028.