AUV-i kthen në kufi 27 tonë misër nga Serbia, tejkaloi nivelin e lejuar të aflatoksinës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin dhe ka kthyer në kufi 27 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës B1. Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa prej 27 mijë kilogramësh ishte importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja dhe ishte paraqitur…

Lajme

16/11/2026 19:40

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin dhe ka kthyer në kufi 27 tonë misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar tejkalim të nivelit të lejuar të aflatoksinës B1.

Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa prej 27 mijë kilogramësh ishte importuar nga kompania IDEAL GROUP SH.P.K. nga Peja dhe ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.

Misri merkantil në kokrra ishte eksportuar nga kompania AGRO DOM TIM DOO në Serbi, ndërsa gjatë kontrollit kufitar inspektorët kanë marrë mostra për analiza laboratorike.

Rezultatet kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg (29 µg/kg), që është 45 për qind mbi kufirin maksimal të lejuar prej 0.020 mg/kg (20 µg/kg).

Aflatoksina B1 është substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera.

Sipas AUV-së, në rast se misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, inspektori fitosanitar kufitar ka refuzuar importin dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë ngarkesës prej 27 tonësh, duke mos lejuar hyrjen e saj në tregun e Kosovës.

AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet kufitare dhe analizat laboratorike për të parandaluar hyrjen e produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore. /Lajmi.net/