Për 5 vjet, 11 mijë vende të reja pune në sektorin e teknologjisë informative (Video)
Iniciativa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për krijimin e një fondi të pavarur për mbështetje të kompanive të reja dhe që synon rritje të teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, synon që brenda pesë vjetësh të krijohen rreth 11 mijë vende të reja të punës.

Lajme
Kjo iniciativë pritet të funksionalizohet më më së largu deri në fillim të vitit të ardhshëm. Qeveria e Kosovës do të ndajë një fond investues prej 2 milionë eursh. Kjo shumë do të përputhet me një fond shtesë prej 2 milionë eurosh nga donatorët dhe pastaj do të nxisë 2 milionë euro investime nga sektori privat.
Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kjo shumë prej 6 milionë eurosh në total do të nxitë investime nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe diaspora, derisa fondi do të ‘iu ofrojë qasje në financim kompanive të reja dhe në rritje të teknologjisë informative (TIK) në vend dhe atyre nga jashtë.
Në prezantimin e qëllimit të kësaj iniciative, ministri Stavileci tha të dielën se ky fond synon të nxisë investimet e përbashkëta me investitorë privatë, që pastaj do të nxiste edhe interesimin e institucioneve ndërkombëtare financiare për të krijuar një fond të pavarur investues për sektorin e TIK-ut, përkrahjen e inovacionit dhe rritjen e sektorit.
Sipas Stavilecit, përmes zhvillimit të sektorit të teknologjisë informative dhe inovacionit, mund të bëhet edhe një kthesë sa i përket numrit të të punësuarve.
“Fondi synon që brenda pesë viteve të krijojë rreth 11 mijë vende të punës dhe këto janë dhënë në tabelat me indikatorët se si do të mbështeten, vlerat të cilat i përmenda, sa projekte prej vitit në vit, cila do të jetë rritja, cili dot jetë kthimi i investimeve”, tha ai.
Më tutje, Stavileci qartësoi se projektet investuese, që do të mbështeten, do t’i kenë tre kritere elementare e që janë punësimi, edukimi dhe inovacioni.
Sipas tij, me investimet që do të bëhen, ai në vitin e tretë do të jetë i vetë-qëndrueshëm.
Ai shfaqi besimin se deri në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm, të bëhet funksionalizimi i fondit.
“Ne do ta fusim si pjesë të strategjisë, me rishikim të buxhetit, pra do ta ndajmë këtë pjesë të fondeve dhe pastaj në pjesën e dytë të vitit do ta kemi aset menaxherin dhe do ta kemi të saktë mënyrën se si do të përkrahen këto ndërmarrje. Besojmë që deri nga fundi i këtij viti mund të jetë gjithçka e gatshme, dhe të fillojë të operacionalizohet, pra më së largu fillimi i vitit tjetër”, ministri Stavileci.
Fondi, të cilin e ka konceptuar MZHE, do të mbështesë një model të një partneriteti publiko-privat, ku fondet publike do të bëhen bashkë me ato të donatorëve dhe të sektorit privat.
Menaxhimi i fondit parashihet të bëhet nga një menaxher i specializuar privat – pa ndikim nga qeveria, i cili sipas MZHE-së, do ti jepte kredibilitet këtij fondi dhe do të mundësonte investimin e mjeteve shtese nga donatorët dhe fondet investuese.

.