Pensionistët e pakënaqur

Sindikata e Pensionistëve dhe invalidëve të Punës protestuan në qendër të Prishtinës. Më pas, ata u rreshtuan para dyerve të Kuvendit dhe të Qeverisë. Thonë se nuk po marrin pension, por ndihmë sociale.

Lajme

18/09/2013 11:51

Pensionistët kanë dalë të mërkurën para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës për të protestuar në kërkim të miratimit sa më të shpejtë të një ligji që rregullon kategorizimin e tyre.

Sipas përfaqësuesve të tyre, një ligj për pensionistët do t’i rregullonte problemet që kanë përcjellë këtë kategori në Kosovë që nga paslufta. Ata thonë se shuma që ata marrin aktualisht nuk është pension, por ndihmë sociale.

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Alush Sejdiu, nuk i beson arsyetimit të Qeverisë se nuk ka para për t’u rritur pensionet.

“Po thonë që s’ka mjete për pensione, por ka. A e dini sa është pensioni që juve ju shpërblejnë? Është as sa një rezervuar i makinave të tyre (qeveritarëve) luksoze për të shkuar në punë, andaj për pensionistë nuk ka mjete. Është shumë më pak se sa një drekë që ata e hanë. Me këto demagogji jemi lodhur”.

Riza Shala, Kryetari i Federatës së Pensionistëve të Kosovës, kërkoi nga pensionistët që të bashkohen e të mos krijojnë ndasi, në mënyrë që kërkesat e tyre të realizohen. Ai tha se nganjëherë vetë Lidhja e Pensionistëve po bëhet pengesë e realizimit të kërkesave të tyre, duke mos i adresuar kërkesat në Qeveri.

“Nëse Lidhja e Pensionistëve dhe shoqatat e tjera të pensionistëve së bashku me ne, bashkohemi dhe i dërgojmë kërkesat tona në Qeveri, po ju garantoj se kjo çështje do të zgjidhej brenda një muaji”.

Pensionistët do të protestojnë para dyerve të Kuvendit dhe të Qeverisë derisa mosha ua lejon të qëndrojnë aty.

Por, ata nuk i besojnë çdokujt në Qeveri. Prandaj, thanë se kërkesat e tyre do të pranojnë t’i adresojnë vetëm në një takim eventual me Kryeministrin Hashim Thaçi ose me Zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi.