Pengesat per vendosjen e muralit të Nënë Terezës, reagon Prifti i njohur: Vendosja po përballet me vështirësi të mëdha politike

Prifti Don Dominik Kukeli, realizuesi i mozaikut kushtuar Nënë Terezës, ka reaguar pasi vendosja e veprës artistike pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë në Prishtinë u pengua të premten pasdite. Përmes një postimi në Facebook, Kukeli ka bërë të ditur se mozaiku është përfunduar plotësisht dhe është gati për përurim, por vendosja e tij në…

Lajme

27/11/2026 23:05

Prifti Don Dominik Kukeli, realizuesi i mozaikut kushtuar Nënë Terezës, ka reaguar pasi vendosja e veprës artistike pranë objektit të Ministrisë së Ekonomisë në Prishtinë u pengua të premten pasdite.

Përmes një postimi në Facebook, Kukeli ka bërë të ditur se mozaiku është përfunduar plotësisht dhe është gati për përurim, por vendosja e tij në lokacionin e planifikuar po has në pengesa që ai i ka cilësuar si politike, transmeton lajmi.net.

“Mozaiku kushtuar Nënë Terezës është kryer në tërësi dhe është gati për përurim”, ka shkruar ai.

Më tej, prifti ka thënë se vendosja e mozaikut në lokacionin e përcaktuar nga institucionet kompetente po përballet me vështirësi të mëdha politike.

“Megjithatë, ashtu siç ju tashmë mund ta keni parë edhe në media dhe në portale, vendosja e mozaikut në lokacionin e caktuar nga institucionet kompetente, është duke hasur në VËSHTIRËSI TË MËDHA POLITIKE”, ka deklaruar Kukeli.

Ai ka bërë të ditur se për zhvillimet e mëtejshme rreth këtij projekti, qytetarët duhet t’i përcjellin njoftimet e përfaqësuesve të Komunës së Prishtinës, nën patronazhin e së cilës është organizuar ngjarja.

Përplasja rreth vendosjes së mozaikut ka nxitur reagime nga Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Ekonomisë, kjo e fundit duke kundërshtuar mënyrën e ndërhyrjes në objektin e saj, e jo realizimin e veprës artistike./lajmi.net/