Pejë: Aktakuzë për kontrabandim me migrantë, i dyshuari arrestohet nga Policia Kufitare

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, me…

Lajme

05/05/2026 13:18

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kontrabandimi me migrantë”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se më 18 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Drelaj të Rugovës, me qëllim përfitimi pasuror, ka tentuar të kontrabandojë migrantë drejt kufirit me Malin e Zi.

Prokuroria ka bërë të ditur se i pandehuri fillimisht ishte takuar me disa shtetas të huaj të nacionalitetit sudanez në Stacionin e Autobusëve në Pejë, me të cilët kishte arritur marrëveshje për transportimin e tyre deri afër kufirit, kundrejt pagesës financiare pas arritjes në destinacion.

Gjatë realizimit të kësaj veprimtarie, automjeti i tij është vërejtur nga Policia Kufitare në zonën e Rugovës. Pas kontrollit, shtetasit e huaj janë identifikuar, ndërsa i pandehuri është arrestuar dhe vetura e përdorur është sekuestruar.

Prokurori i çështjes ka propozuar që gjykata kompetente ta shpallë fajtor të pandehurin dhe ta dënojë sipas ligjit në fuqi për veprën penale që i vihet në barrë. /Lajmi.net/