Peci zotohet për përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, falënderon Kurtin si trim e sypatrembur që i doli zot Mitrovicës

Fituesi i balotazhit të djeshëm në jug të Mitrovicës, Faton Peci është deklaruar sot ku ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në lidhje me përgjegjësinë e tij politike për të qenë Kryetar i Mitrovicës. Peci tha se kjo është fitore e qytetarëve, e Mitrovicës dhe të gjithë atyre që s’u lodhën së kërkuari dinjitet,…

Lajme

10/11/2025 12:41

Fituesi i balotazhit të djeshëm në jug të Mitrovicës, Faton Peci është deklaruar sot ku ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë në lidhje me përgjegjësinë e tij politike për të qenë Kryetar i Mitrovicës.

Peci tha se kjo është fitore e qytetarëve, e Mitrovicës dhe të gjithë atyre që s’u lodhën së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisej të ndershme.

“Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para jush, duke ju siguruar se asnjë ditë e këtij mandati nuk do të na shkojë dëm. Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës”,deklaroi Peci, transmeton lajmi.net.

Peci ndaloi duke falënderuar posaçërisht kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për mbështetjen e dhënë në këtë rrugëtim.

“Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë”.

Peci pati po ashtu edhe tri zotime të hapura ku tha se :

Para jush zotohëm se:

  • Do të jem Kryetar i të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie;
  • Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër;
  • Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit./Lajmi.net/