PDK shpreh solidaritet me komunat dhe qytetarët e prekur nga vërshimet, kërkon angazhim të plotë institucional

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me qytetarët e prekur nga vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut. Në një njoftim për media, PDK ka theksuar se situata e krijuar në shumë zona të vendit është serioze dhe kërkon…

Lajme

06/01/2026 16:19

Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe me qytetarët e prekur nga vërshimet e shkaktuara si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Në një njoftim për media, PDK ka theksuar se situata e krijuar në shumë zona të vendit është serioze dhe kërkon reagim të menjëhershëm, të koordinuar dhe të përgjegjshëm nga institucionet përkatëse. Sipas PDK-së, në disa vendbanime familje të tëra janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre për shkak të dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga përmbytjet.

PDK u ka bërë thirrje institucioneve qendrore që të marrin përgjegjësinë e plotë që u takon, duke aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë për menaxhimin e situatës emergjente.

“Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Sipas kësaj partie, në këto momente prioritet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura.

Po ashtu, PDK ka bërë të ditur se në komunat ku ajo udhëheq me qeverisje lokale, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e mundshme institucionale për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar qytetarët se do të qëndrojë pranë tyre në këtë situatë të vështirë dhe se askush nuk do të mbetet i vetëm në përballimin e pasojave të vërshimeve. /Lajmi.net/