PDK procedon në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza bashkë me Grupin Parlamentar të PDK-së, ka mbajtur konferencë për media. Ai ka njoftuar se bashkë me grupin parlamentar, kanë dorëzuar një kërkesë në Kuvend. “Grupi parlamentar i PDK-së, posa procedoj në Kuvend kërkesë për plotësim-ndryshimin e ligjit që ka të bëjë me Dhomat e Specializuara”, ka thënë Hamza. Kjo…
Lajme
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza bashkë me Grupin Parlamentar të PDK-së, ka mbajtur konferencë për media.
Ai ka njoftuar se bashkë me grupin parlamentar, kanë dorëzuar një kërkesë në Kuvend.
“Grupi parlamentar i PDK-së, posa procedoj në Kuvend kërkesë për plotësim-ndryshimin e ligjit që ka të bëjë me Dhomat e Specializuara”, ka thënë Hamza.
Kjo nismë ligjore vjen pas aktgjykimit denues të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, aktgjykim që Partia Demokratike e Kosovës e ka kundërshtuar publikisht dhe e ka cilësuar si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Pas këtij vendimi, PDK ka paralajmëruar se, krahas hapave të tjerë demokratikë dhe institucionalë, do të ndërmarrë edhe veprime konkrete ligjore në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Projektligji i dorëzuar sot synon ndryshimin dhe plotësimin e kornizës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Amendamentin nr. 24 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare përkatëse dhe Aktgjykimin KO26/15 të Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se çdo institucion i themeluar me ligjet e Republikës së Kosovës duhet të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit, standardet ndërkombëtare të drejtësisë dhe garancitë për një proces të drejtë gjyqësor.
Përmes kësaj nisme, PDK kërkon që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe ligjvënëse, duke shqyrtuar me seriozitet dispozitat ligjore që rregullojnë funksionimin e Dhomave të Specializuara.
PDK do të vazhdojë të ndjekë çdo rrugë demokratike, institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe për të kërkuar respektimin e plotë të standardeve të drejtësisë në të gjitha fazat e mëtejshme të procesit. /Lajmi.net/