PDK përshëndet miratimin e Rezolutës: Ne do të vazhdojmë të jemi gardianë të Kushtetutës, të vlerave të UÇK-së dhe të së drejtës për drejtësi të paanshme
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur dhe falënderuar deputetët për miratimin e Rezolutës në mbrojtje të të drejtave të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Sot, gjatë seancës së parë të legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, u fut në rend dite dhe…
Lajme
Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur dhe falënderuar deputetët për miratimin e Rezolutës në mbrojtje të të drejtave të çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sot, gjatë seancës së parë të legjislaturës së X-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, u fut në rend dite dhe u votua Rezoluta e hartuar nga ekspertë të pavarur, që mbulon mbrojtjen e të drejtave të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, transmeton lajmi.net.
Rezoluta thekson përkushtimin e Kuvendit për respektimin e rendit kushtetues, përfshirë Amendamentin Nr. 24 të Kushtetutës, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të standardeve ndërkombëtare për një gjykim të drejtë dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të akuzuarve.
Dokumenti kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të garantojnë transparencë, llogaridhënie dhe respektimin e plotë të standardeve ligjore, ndërsa konfirmon mbështetjen e institucioneve të Kosovës për mekanizmat e nevojshëm në mbrojtje të të drejtave të udhëheqësve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
PDK e ka cilësuar këtë votim si një akt përgjegjësie shtetërore dhe uniteti institucional, duke nënvizuar se mbrojtja e procesit të drejtë ligjor dhe respektimi i dinjitetit të luftës çlirimtare janë vlera që tejkalojnë përkatësitë partiake.
Kjo rezolutë u miratua me 90 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim. LDK nuk mori pjesë në votim pasi nuk iu aprovua kërkesa që kësaj rezoluta t’i shtohet pika për vrasjet e pasluftës./lajmi.net/