PDK më e gjobitura, VV më e ankuara

PDK gjobitet nga PZAP me 90,300 euro, AAK me 33,800, LDK me 34,400 e AKR me 11,900 euro. Totali i gjobave të shqiptuara është 179,615 euro. Vetëvendosje është subjekti që ka bërë më së shumti ankesa.

Lajme

12/11/2013 09:55

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa për zgjedhjet e 3 nëntorit kanë arritur shumë ankesa për partitë politike. Ky panel ka gjobitur subjektet politike në total prej 179,615 euro gjobë.

Partia që do të duhet të paguajë shumë më të madhe në PZAP është Partia Demokratike e Kosovës me 90,300 euro. E dyta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 33,800 euro dhe e treta Lidhja Demokratike e Kosovës me 34,400 euro gjobë, raporton Kosovapress.

Nga gjobat e shqiptuara, vetëm Nisma Qytetare e Ferizajt ka paguar gjobën prej 250 euro, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nga 1,650 euro ka paguar vetëm 800 euro.

Sipas Mulë Deskut, Kryesues i Sekretariatit të PZAP’it, natyra e gjobave ka të bëjë me fushatën zgjedhore që përfshijnë heqjen, mbulimin, dëmtimin ose ndryshimin e ndonjë njoftimi, pllakati, posteri ose materiali tjetër që përdoret gjatë fushatës.

Mulë Desku gjithashtu ka njoftuar se edhe partitë e tjera janë gjobitur. Aleanca e Re e Kosovës – AKR, 11900 euro, Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës – PDAK, 250 euro, Alternativa Demokratike e Kosovës – ADK, 800 euro, Bashkimi Demokratik- BD, 850 euro, Gradjanska Iniciativa Srpska – GIS, 2050 euro, G Narodna Iniciativa – GIN, 400 euro, Iniciativa Qytetare për Malishevë – IQM, 250, Iniciativa Qytetare për Klinë – IQK, 250 euro, Narodna Demokratska Stranka, – NDS, 850 euro, Nisma Qytetare për Prizren – NQP, 250 euro, Partia e Drejtësisë- PD, 3115 euro si dhe KDTP, 250 euro.

Subjekti që ka paraqitur më shumë ankesa këtë vit në PZAP, është Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 100 ankesa të deponuara në këtë panel. LDK ka dorëzuar 47 ankesa, PDK 35 ankesa, AKR 8…

Zyrtarët e PDK’së nuk kanë dashur që të prononcohen për media lidhur me gjobat e marra nga PZAP.

Ndërkaq, Arben Gashi nga LDK ka thënë se diferenca e gjobave krahasuar me zgjedhjet e kaluara është e madhe, pasi që LDK është kujdesur në aspektin e mbrojtjes juridike por dhe nga aspekti i veprimeve ligjore në këto zgjedhje.

“Diferenca është e madhe dhe duhet pasur parasysh edhe specifikat se në zgjedhjet lokale ka më shumë kandidat në garë. Besoj që rezultati është i mirë dhe ne si LDK e kemi bërë një zyrë juridike e përbërë nga më shumë se 10 persona që merren me mbrojtjen e votës dhe ligjshmërisë të zgjedhjeve dhe besoj se rezultati është i kënaqshëm”.

Ndërkaq, Gashi thekson se në fillim të fushatës kanë pasur probleme me vendosjen e posterëve, ku disa kandidat kanë vendosur posterët e tyre në hapësira të ndaluara.

“Kryesisht kanë qenë vendosje të paautorizuar të posterave individual të kandidatëve në tërë Kosovën, ne i kemi këshilluar kandidatët tonë dhe i kemi paralajmëruar që mos t’i vendosin, kanë qenë ditët e para të problemeve pastaj është vendos situata në kontroll dhe nuk ka pasur më problem”.

Zëdhënësi i AAK’së Ernest Luma, ka theksuar se subjekti i tij ka zhvilluar një kampanjë ndryshe nga ajo e zgjedhjeve të kaluara. Sipas tij, jo vetëm AAK por dhe subjektet e tjera politike, në këto zgjedhje kanë treguar pjekuri politike.

“Ne, dukshëm jemi ndryshe nga kampanja e kaluar zgjedhore në këtë aspekt, pra më mirë, më pak ka pasur dënime, më pak ka pasur ankesa dhe më pak ka pasur edhe shkelje të rregullave në ditën e zgjedhjeve”.

“Si parti politike jemi duke i elaboruar të gjitha ankesat, gjitha shkeljet eventuale që janë bërë, qoftë nga ana e kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, qoftë nga ana e partive rivale ndaj kandidatëve tonë. Së shpejti pas këtij elaborimi do të dalim edhe me pasqyrën përfundimtare të situatës në këtë aspekt”.

Në PZAP, numri i ankesave dhe gjobave i zgjedhjeve të këtij viti është shumë i përafërt me numrin dhe gjobat e shqiptuara në zgjedhjet lokale të 2009.

(Kosovapress)