“America Party” – Elon Musk po flitet se po e krijon një parti të re në ShBA

Elon Musk ka shpallur një iniciativë të re politike në Shtetet e Bashkuara: krijimin e një partie të tretë, të quajtur “America Party”. Kjo lëvizje vjen pak javë pasi ai u largua nga roli si këshilltar i Donald Trumpit, gjë që ka tensionuar marrëdhëniet mes dyshes që dikur kishin bashkëpunuar ngushtë, transmeton lajmi.net Musk propozon…

Bota

05/07/2025 22:22

Elon Musk ka shpallur një iniciativë të re politike në Shtetet e Bashkuara: krijimin e një partie të tretë, të quajtur “America Party”.

Kjo lëvizje vjen pak javë pasi ai u largua nga roli si këshilltar i Donald Trumpit, gjë që ka tensionuar marrëdhëniet mes dyshes që dikur kishin bashkëpunuar ngushtë, transmeton lajmi.net

Musk propozon një parti që synon të përfaqësojë shumicën e amerikanëve që nuk identifikohen as me të djathtën ekstreme, as me të majtën progresive. Ai ka përmendur mundësinë e përqendrimit të përpjekjeve të partisë në disa shtete kyçe për të fituar dy deri në tre ulëse në Senat dhe tetë deri në dhjetë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Përplasja me Trump ka qenë publike. Pas kritikave të Musk-ut ndaj një ligji të propozuar nga republikanët, Trump e akuzoi atë për “mungesë lojaliteti” dhe kërcënoi se do të rishqyrtojë marrëveshjet e kontratave që kompanitë e Musk kanë me qeverinë amerikane. Nga ana tjetër, Musk ka deklaruar se do ta formojë partinë menjëherë nëse ligji miratohet dhe se do të punojë për të krijuar një alternativë politike që “reflekton vullnetin e vërtetë të popullit”.

Musk ka qenë më parë një mbështetës i Trumpit dhe fondacioni i tij kontribuoi me mbi 200 milionë dollarë në fushatën presidenciale të vitit 2024. Por marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan kur Musk kritikoi politikat e Trumpit, veçanërisht mungesën e mbështetjes për teknologjitë e gjelbra dhe makinat elektrike.

Analistët politikë vlerësojnë se pavarësisht burimeve të mëdha financiare, krijimi i një partie të tretë përballet me sfida të mëdha ligjore dhe organizative, përfshirë regjistrimin në buletinët e votimit në të gjitha shtetet. Sidoqoftë, sondazhet e hershme tregojnë mbështetje të konsiderueshme për idenë, veçanërisht nga votuesit e pavarur dhe të zhgënjyer me sistemin aktual dy-partiak./lajmi.net/