PDK, LDK dhe AAK kërkojnë zgjidhjen e ngërçit në Kuvend përmes Osmanit – A ka kompetencë Presidentja të organizojë takime mes partive?
Nesër tre muaj nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit që si parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, pasuar me PDK-në dhe LDK-në e që deri më sot ku janë mbajtur 12 seanca konstituive, Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja. Tre muaj pas, institucionet kryesore në Kosovë mbeten të paformuara e ndër to…

Lajme
Nesër tre muaj nga dita e zgjedhjeve të 9 shkurtit që si parti e parë doli Lëvizja Vetëvendosje, pasuar me PDK-në dhe LDK-në e që deri më sot ku janë mbajtur 12 seanca konstituive, Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja.
Tre muaj pas, institucionet kryesore në Kosovë mbeten të paformuara e ndër to edhe Kuvendi i Kosovës, shkruan lajmi.net.
Ndonëse janë mbajtur plot 12 seanca konstituive të Kuvendit të Kosovës, që nga 15 prilli, Kryetari i Kuvendit nuk është votuar ende. Lëvizja Vetëvendosje pas seancës së betimit të deputetëve ka propozuar Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit, kjo pasi sipas tyre është gruaja më e votuar në vend dhe ka një përvojë disa vjeçare në punën e parlamentit. Por Haxhiu nuk u pranua dhe assesi nuk po shihet si meritore për postin e kryekuvendares, nga tri partitë tjera të mëdha në vend.
PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar në vazhdimësi se Albulena Haxhiu nuk do t’i marrë votat e tyre, kjo pasi sipas tyre ajo është “figurë përçarëse”, gjithashtu te tri partitë politike kanë kërkuar ndërhyrjen e Presidentes në kalimin e kësaj krize që ka kapluar vendin.
“Presidentja e Republikës, si institucion mbi-partiak mund të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një takimi me të gjitha subjektet politike parlamentare. Një tryezë gjithëpërfshirëse, mund të jetë hapi i duhur për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza institucionale”, u shpreh Deliu-Kodra për Lajmi.net.
I po të njëjtit mendim janë edhe deputetët e LDK-së, ku sot në një paraqitje para mediave, deputetja Hykemte Bajrami bashkë me Doarsa Kica-Xhelilin pasi dorëzuan në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrave të tij tashmë të zgjedhur si deputetë, u deklarua edhe për ngërçin në Kuvend.
Bajrami tha se Presidentja duhet ta nxjerrë vendin nga ky ngërç që tashmë e tre muaj e ka bllokuar Kosovën që t’i këtë institucionet e saj dhe u shpreh se janë të hapur që të marrin pjesë në një takim të tillë po duhet shohin se çfarë do të diskutohet.
“Ne e kemi vendosur këtë propozim në tavolinë, natyrisht që jemi të hapur që të jemi prezent në takime të tilla për të nxjerrur vendin nga ngërçi institucional që do të jetë. Më lejoni t’u them se krejt varet për çfarë ftohet takimi dhe çfarë qëllimi dot të ketë”, tha Bajrami.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar dje se një nga opsionet për të zhbllokuar situatën politike është ndërhyrja e presidentes.
“Një opsion tjetër është kyçja e institucionit të presidentes, në këtë rast presidentja. Unë besoj se Presidentja ne mandatin e saj ose mundet vetë të marrë iniciativë të konsultës me partitë politike, duke qenë në dijeni që ka ngec ecja përpara e konstituimit të institucioneve. Ose mund t’i drejtohet Gjykatës, por i duhet një vendim paraprak”, ka deklaruar ai.
A ka të drejtë Presidentja e Republikës të organizojë takime mes partive politik?
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj ia ‘shuan shpresa’ deputetëve që kërkojnë ndërhyrjen e Presidentes në këtë mes.
Miftaraj i tha Lajmi.net se bazuar në Kushtetutë dhe ligje, Presidentja nuk ka autoritet dhe kompetence të organizojë takime mes partive politike për të arritur një marrëveshje politike
“Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, Presidentja e Republikës nuk ka autoritet dhe kompetence të organizoj takime mes partive politike për të arritur një marrëveshje politike. Presidentja në pajtim me kompetencat e Kuvendit të Kosovës përmes përgjigjes lidhur me konstituimin e Kuvendit iu ka ri kujtuar deputeteve dhe partive politike lidhur me obligimet e tyre per te konstituar legjislativin”, tha ai.
Tutje, Miftarja tha se Presidentja nuk ka autoritet dhe kompetence për të imponuar ndonjë zgjidhje të caktuar, sikurse nuk ka autoritet të ndryshoj vullnetin politik të partive politike.
“Presidentja nuk ka autoritet dhe kompetence për të imponuar ndonjë zgjidhje të caktuar, sikurse nuk ka autoritet të ndryshoj vullnetin politik të partive politike. Partitë politike duhet të kenë vullnet për të gjetur një zgjedhje brenda sistemit kushtetues të Kosovës, sikur të harronin interesat puro personale dhe partiake, duke injoruar interesat e Republikës dhe qytetareve”, tha ai.
Seanca e 13-të konsultative mbahet nesër me 9 maj 2025 nga ora 10:00, dhe nëse do të votohet kryekuvendarja hapet rruga për formimin e Qeverisë.
Vetëvendosje po vazhdon ta përdorë të drejtën për propozim si parti e parë e dalë nga zgjedhjet, derisa nga partitë e tjera kërkohet që të hapet rrugë e t’i jepet zgjidhje kësaj situate./Lajmi.net/