PDK e shënon Ditën e Turizmit me aksione kundër Komunës së Prishtinës

Në Ditën Botërore të Turizmit, Forumi Rinor i Partisë Demokratike, dega në Prishtinë, kanë shprehur pakënaqësinë e tyre se Komuna e Prishtinës nuk po bën asgjë në lidhje me promovimin e turizmit.

Lajme

27/09/2015 15:40

Përmes një aksioni simbolik, ata deshën t’ua bëjnë me dije Qeverisë së Prishtinës se duhet të ndërmarr sa më shumë hapa për t’i mbrojtur bukuritë e veta që i ka.

Kryetari i Forumit, Triumf Sadikaj, tha se me anë të këtij aktiviteti dëshirojnë që të ngritin vetëdijen e komunës së Prishtinë se nuk janë duke bërë asgjë për turistët të cilët e vizitojnë Kosovën.

“Ne sot si rini demokratike kemi marrë këtë aktivitet, këtë aksion simbolik në mënyrë që të ngrisim vetëdijen e Komunës së Prishtinës që të bëjë më shumë punë rreth turizmit dhe promovimit të saj, duke marrë parasysh që Prishtina si kryeqytet ka 90 % të vizitorëve të cilët vizitojnë Kosovën brenda një viti. Ka mjaft bukuri të vetat, ka objekte kulturore historike, ka një pasuri e cila duhet të trajtohet dhe të promovohet në mënyrë që turistët tanë të ndahen sa më të kënaqur dhe të rritet numri i vizitorëve”, tha Sadikaj, raporton KP.

Sipas tij, edhe pse ekziston një pikë informuese për turistët në Prishtinë, ajo është jofunksionale dhe një gjë e tillë po i shkakton humbje Prishtinës si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë ekonomik.

“Duke marrë parasysh që sot është Dita Ndërkombëtare e Turizmit dhe cilësohet turizmi si industria e katërt në botë e cila ka zhvillimin më të madh shembulli më i keq për këtë është kjo kioskë e cila gjendet prapa nesh dhe e ka emrin si pikë informuese turistike, por që realisht ka disa vite që nuk funksion dhe kështu për turistët udhërrëfyesi i vetëm është pyetja e qytetarëve se si mund të drejtohen dhe çka mund të shohin ata në Prishtinë. Dhe kjo shkakton humbje të mëdha qoftë në aspektin kulturorë, qoftë dhe në atë ekonomik, si dhe bën që turistët të ndahen me një përshtypje jo të mirë nga kryeqyteti ynë”, tha Sadikaj.

Në anën tjetër, Dita Botërore e Turizmit, përveçse në Podujevë, nuk u shënua në asnjë komunë tjetër.