Përfundon numërimi edhe në 9 qendra komunale, procesohen mbi 71% e vendvotimeve në nivel vendi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Sipas përditësimit të publikuar të mërkurën në orën 16:00, janë procesuar 1,790 nga gjithsej 2,498…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike dhe numërimit të votave për kandidatët për deputetë po vazhdon në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Sipas përditësimit të publikuar të mërkurën në orën 16:00, janë procesuar 1,790 nga gjithsej 2,498 vendvotime, që përbëjnë 71.65 për qind të numrit total të vendvotimeve në nivel vendi.
KQZ-ja bëri të ditur se deri më tani procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 22 nga 38 Qendra Komunale të Numërimit.
Gjatë ditës së mërkurë, procesi është përmbyllur në Deçan, Dragash, Kamenicë, Graçanicë, Klinë, Viti, Kaçanik, Rahovec dhe Leposaviq.
Ndërkohë, më herët numërimi dhe verifikimi ishte përmbyllur edhe në Junik, Shtërpcë, Hani të Elezit, Partesh, Mamushë, Zubin Potok, Zveçan, Kllokot, Novobërdë, Obiliq, Shtime, Ranillug dhe Mitrovicë të Veriut.
Procesi vazhdon ende në 16 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Ferizajn, Gjakovën, Pejën, Gjilanin, Podujevën, Mitrovicën e Jugut, Vushtrrinë, Suharekën, Lipjanin, Drenasin, Malishevën, Skenderajn, Fushë Kosovën dhe Istogun.
Sipas KQZ-së, pas përfundimit të numërimit në secilin vendvotim, rezultatet po transmetohen në kohë reale në platformën zyrtare të rezultateve, ndërsa procesi pritet të vazhdojë deri në përmbylljen e numërimit në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit.
Rezultatet mbeten preliminare deri në përfundimin e plotë të procesit dhe certifikimin përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Lajmi.net/