PD-ja kthehet në Kuvend, shumica pranon dy kërkesa të saj

Deputetët e shumicës parlamentare PS-LSI në Kuvendin e Shqipërisë sot kanë votuar për miratimin e dy komisioneve hetimore parlamentare që i ka kërkuar Partia Demokratike, duke i dhënë kështu mundësinë që opozita të kthehet në Kuvend. 

Lajme

23/10/2014 23:16

Deputetët e pozitës votuan sot kërkesën për formimin e komisionin hetimor për serverin e tatimeve, që u zhduk pa shpjegime posa PS-LSI morën pushtetin, si dhe atë për largimet nga puna të punonjësve të Administratës Publike, pak kohë pas krijimit të qeverisë së re.  

Dy kërkesa të tjera për formim të komisioneve hetimore u lanë për seancën e ardhshme.  

Duke lëne mënjanë dy propozime për seancën tjetër, Kuvendi miratoi me votat e shumicës ngritjen e Komisionit Hetimor për Serverin e Tatimeve dhe për largimet nga Administrata Publike. Ndërkohë, për ndryshimet në rregullore dhe përbërjen e komisioneve të tjera parlamentare u lanë për një kohë me të vonë, raporton BW.

Në fund të procesit të votimit, kryeparlamentari Ilir Meta theksoi se propozimet për ndryshimin e rregullores së Kuvendit do të bëhen në një kohë më të përshtatshme, pasi për arsye objektive nuk u realizua mbledhja e këshillit të rregullores.

Ndaj kësaj lëvizje të re të pozitës u prononcua kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili tha se votimi i dy kërkesave të opozitës u bë shkaku i presioneve të faktorit të jashtëm.