Pazari i Krujës tërheq vizitorë në çdo stinë

Pazari i Krujës, i cili njihet edhe si një Pazar karakteristik, por edhe zonë turistike është i vendosur në të dy anët e një korridori të gjatë e të shtruar me kalldrëm, por ai realisht ka qenë shumë më i gjatë se sa është sot.

Lajme

25/07/2015 18:09

Zona Turistike- Pazari i Krujës është cilësuar monument kulture i kategorisë së parë sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend

Anadolu Agency ka realizuar një vëzhgim në Pazarin e Vjetër të Krujës ku vërehet se gjatë verës është mjaft i vizituar nga turistët e huaj apo edhe vizitorë vendas. Ky Pazar, por edhe muzetë e Krujës dhe Kalaja vizitohen gjatë gjithë stinëve të vitit nga studentë, nxënës të shkollave nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zeje të ndryshme si pajisje prej bakri, qëndistari, punues të armëve, etj.  Aktualisht në dyqanet e këtij pazari mund të gjendet suvenire të vjetra apo edhe të punuara kohët e fundit, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, qilimave apo ato të drurit. Këtu vizitorët  e huaj kanë mundësi për të blerë artikuj të ndryshëm të artizanatit shqiptar si punime në argjend, bakër, qëndistari, bizhuteri, qylyma etj.

Ajo që bie më shumë në sy në këtë Pazar teksa futesh brenda tij janë qeleshet ose siç quhen ndryshe “plisi”, që njihen si një ndër produktet artizanale tradicionale shqiptare, ku pavarësisht ndryshimeve në mënyrën e veshjes, vazhdon të përdoren në raste të ndryshme. Ai më shumë përdoret në rastin e festave të Bajrameve, në gëzime familjare si dasma, festime dhe aktivitete artistike nga burrat shqiptarë, por edhe të rinjtë.

Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit të XVI-të, e ndërtuar në të njëjtën kohë me atë që ndodhet brenda Kalasë. Ndërkohë që xhamia e pazarit i është nënshtruar një rikonstruksioni nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) xhamia e cila ndodhet brenda në kala është e rrënuar dhe e braktisur.

Ndërkohë disa muaj më parë është inauguruar përfundimi i punimeve të projektit “Rigjallërimi dhe Përmirësimi i Zonës Turistike-Pazari i Krujës”, në qytetin e Krujës.  Ky projekt u implementua si një partneritet i Ministrisë së Zhvillimit Urban të Shqipërisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë  Krujë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Çdo ndërhyrje që përfshin projekti, duke filluar nga fasadat, çatitë dhe kalldrëmi është bërë me kujdes, duke ruajtur vlerën dhe traditën e këtij qyteti. Projekti restaurues i të gjitha dyqaneve në Pazarin e Vjetër të Krujës, përfshin çatitë, fasadat, ndriçimin dhe sinjalistikën, punime nëntokësore si dhe përmirësimin e kalldrëmit të një prej vendeve historike dhe tursitke, të veçanta në Shqipëri.