“Pastrimi”: Vendimi i OSHP-së nuk u jep të drejtë veprimeve të Komunës së Prishtinës
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili e shpalli veten jashtë juridiksionit për të shqyrtuar ankesën e saj lidhur me tenderin 16.5 milionë euro të shpallur nga Komuna e Prishtinës për angazhimin e operatorëve privatë në shërbimet e pastrimit. Në reagimin e saj, kompania e…

Lajme
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar pas vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i cili e shpalli veten jashtë juridiksionit për të shqyrtuar ankesën e saj lidhur me tenderin 16.5 milionë euro të shpallur nga Komuna e Prishtinës për angazhimin e operatorëve privatë në shërbimet e pastrimit.
Në reagimin e saj, kompania e cilëson vendimin si “të paprecedentë dhe të pajustifikueshëm”, duke theksuar se bëhet fjalë për një kontest të qartë të prokurimit publik, që sipas saj bie brenda fushëveprimit të OSHP-së.
“Pastrimi” thekson se vendimi nuk i jep legjitimitet veprimeve të Komunës së Prishtinës dhe se çështja mbetet në kompetencë të gjykatave dhe institucioneve të tjera mbikëqyrëse.
“Për më tepër, vendimi në asnjë pjesë të tij nuk i jep të drejtë apo legjitimitet veprimeve të Komunës së Prishtinës, duke ia lënë në kompetencë gjykatave dhe organeve tjera që mbikëqyrin kundërligjshmëritë”.
Kompania përmend edhe një aktgjykim të mëhershëm të Gjykatës Supreme, i cili sipas saj ndalon ligjërisht tenderimin për këtë çështje nga ana e komunës.
Duke paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të OSHP-së, “Pastrimi” njofton se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtën e saj dhe për të siguruar një proces të drejtë dhe të paanshëm. Kompania akuzon Komunën e Prishtinës për veprime të jashtëligjshme dhe për përpjekje të qëllimshme për ta çuar ndërmarrjen drejt falimentimit.