“Pasiguri në punë”, brenda muajve në KEK humbën jetën dy punëtorë
Dy muajt e fundit kanë qenë të rëndë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Që nga 15 korriku 2026 e deri mbrëmë, dy persona kanë humbur jetën derisa po punonin për t’i siguruar “dritë” Kosovës, shkruan lajmi.net. Më 15 korrik të këtij viti, ka humbur jetën Milazim Binaku nga fshati Lum i Madh i Vushtrrisë,…
Lajme
Dy muajt e fundit kanë qenë të rëndë për Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Që nga 15 korriku 2026 e deri mbrëmë, dy persona kanë humbur jetën derisa po punonin për t’i siguruar “dritë” Kosovës, shkruan lajmi.net.
Më 15 korrik të këtij viti, ka humbur jetën Milazim Binaku nga fshati Lum i Madh i Vushtrrisë, derisa po punonte në KEK.
Ai ishte punonjës i KEK-ut, i sistemuar në vendin e punës “axhustatot” në fabrikën e pajimeve xehtare “Kosovamont”, në kuadër të Diviizoni të Prodhimit të Qymyrit.
“Gjatë kryerjes së detyrave të punës, më datë 08.07.2026, në Fabrikën e Pajimeve Xehtare në Palaj, i ndjeri pësoi lëndime të rënda trupore. Pas trajtimit mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, fatkeqësisht nuk arriti t’u përballojë lëndimeve të marra. Milazim (Baki) Binaku ishte i punësuar në KEK nga data 14.05.1990 dhe për më shumë se 36 vite dha kontribut të çmuar profesional në Korporatë. Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite”, kishte njoftuar KEK-u.
Një muaj pas, jetën gjatë punës në KEK e ka humbur edhe Haxhi Gojnovci. Ai ishte nga fshati Lismir i Fushë Kosovës dhe po punonte si “teknik i xehtarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).
“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij. Haxhi (Selatin) Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga data 15.11.1985 dhe, për më shumë se katër dekada, dha një kontribut të çmuar profesional në Korporatë. Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite. Familjes Gojnovci, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, ka njoftuar KEK-u.
Në lidhje me këto të dy raste, ngushëllime ka shprehur edhe Sindikata e Re e KEK-ut.
Për rastin e fundit, ka reaguar edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Për më shumë se katër dekada, z. Gojnovci i shërbeu KEK-ut dhe sektorit tonë energjetik me përkushtim. Ai do të kujtohet me respekt për kontributin dhe punën e tij”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Rizvanolli u shprehu ngushëllime familjes dhe të afërmve të Haxhi Gojnovcit.
“Familjes Gojnovci, të afërmve dhe kolegëve të tij u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Bashkëndiejmë dhimbjen e tyre në këto çaste jashtëzakonisht të rënda. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, shkroi ajo.
Puna në KEK mbetet një nga më të rrezikshmet dhe më të rëndat në vend, ndërkaq sindikata e punëtorëve të KEK-ut në vazhdimësi kërkon kushte më të mira për punëtorët aty dhe siguri për ta. /Lajmi.net/