Dy persona dënohen me nga 3 mijë euro gjobë për falsifikim të rezultateve të votimit në Gjakovë

Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy personave me inicialet A.M. dhe D.K., të cilët akuzoheshin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025. Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurve, ndërsa secilin prej tyre e ka dënuar…

Lajme

24/11/2026 16:37

Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy personave me inicialet A.M. dhe D.K., të cilët akuzoheshin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të arritur ndërmjet Prokurorisë dhe të pandehurve, ndërsa secilin prej tyre e ka dënuar me nga 3 mijë euro gjobë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjyqtari Samedin Cena, dënimi fillestar i rekomanduar prej gjashtë muajsh burgim është zëvendësuar me gjobë prej 3 mijë eurosh për secilin të pandehur. Gjobat duhet të paguhen brenda 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, A.M., në cilësinë e kryesuesit të komisionit për numërimin e votave të kandidatëve për deputetë në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, gjatë periudhës 29 dhjetor 2025 deri më 1 janar 2026, dyshohet se kishte shtuar 428 vota dhe kishte hequr 682 vota nga kandidatët për deputetë, duke keqpërdorur gjithsej 1 mijë e 110 vota.

Ndërkaq, D.K., në të njëjtën qendër dhe gjatë së njëjtës periudhë, dyshohet se kishte shtuar 422 vota dhe kishte hequr 491 vota, duke keqpërdorur gjithsej 913 vota.

Të dy rastet lidhen me numërimin e votave në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: