Pasi u akuzua për mashtrim, aktivisti i VV-së Albert Shabani heq dorë nga aktivitetet politike

Aktivisti i zëshëm i VV-së, Albert Shabani, ka hequr dorë nga politika. Këtë lajm e ka dhënë vet Shabani përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se nga sot “përshëndetet me aktivitetet politike”. Kjo ka ardhur pasi sot, lajmi.net ka publikuar një artikull ku kryetari i degës së VV-së në Zvicër ka thënë për…

Lajme

27/01/2026 23:01

Aktivisti i zëshëm i VV-së, Albert Shabani, ka hequr dorë nga politika.

Këtë lajm e ka dhënë vet Shabani përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se nga sot “përshëndetet me aktivitetet politike”.

Kjo ka ardhur pasi sot, lajmi.net ka publikuar një artikull ku kryetari i degës së VV-së në Zvicër ka thënë për lajmi.net, se Shabani iu ka kërkuar disa herë para, të cilat i kanë mbledhur ndërsa tani kanë dyshime se i ka mashtruar.

Shabani ka thënë se duke qenë i zhurmshëm dhe aktiv ka qenë cak i mediave.

“Shumë faleminderit secilit që më ka dhënë qoftë edhe 1 euro. Nëse nuk mjafton falënderimi dhe përulja, atëherë po e shoh që po e vajtoni këtë temë pa nevojë. Nuk jemi as ju as unë të parët, e as të fundit që kemi ndihmuar dikë. Ka pasur njerëz që kanë ndihmuar edhe shumë më tepër, por e kanë bërë me zemër e shpirt dhe kurrë nuk janë mburrur. Fansave të të gjitha partive politike u kërkoj falje për çdo herë që ju kam sjellë hidhërim. Po ashtu, partive dhe liderëve politikë u kërkoj falje, sepse po bindem se ndoshta ajo qasje e imja nuk paska vlejtur”,ka shkruar Shabani.

Postimi i plotë i tij pa ndërhyrje:

Njoftim publik

Duke e parë mentalitetin e një pjese të shoqërisë sonë, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë, nga sonte përshëndetem me aktivitetet politike.

Gjërat kanë shkuar aq larg, saqë edhe media e portale po i kontaktojnë njerëzit, duke u treguar se si më kanë ndihmuar mua në forma humanitare.

Historikisht, dora e ka kërkuar ndihmën e dorës tjetër, dhe falë humanizmit e solidaritetit, ne si shqiptarë kemi rezistuar çdo vështirësie.

Unë jam shumë krenar që, falë thirrjeve të mia dhe në bashkëpunim me të nderuarin hoxhë Elvis Naqi dhe këngëtarin e njohur Arian Agushi, kemi strehuar fëmijë jetimë. Po ashtu, falë thirrjeve të mia për humanizëm, shumë familje kanë ndjerë dorën e bamirësisë.

A duhet tani t’i thërras unë mediat e portalet për t’ua treguar këtë?

Një fjalë e popullit thotë:

“Shtrije dorën për ndihmë vëllaut e motrës për hir të Zotit, e jo pastaj t’ia përmendësh.”

Kush ishte Alberti, e ka parë e gjithë Kosova – dhe jo vetëm. Pikërisht duke qenë i zhurmshëm dhe aktiv gjatë gjithë kohës, kam qenë cak i mediave e portaleve dhe i ekspozuar vazhdimisht, madje shpesh pa i dëgjuar as këshillat e familjes, sepse kam besuar në kauzë, mirëkuptim dhe bashkëpunim.

Shumë faleminderit secilit që më ka dhënë qoftë edhe 1 euro. Nëse nuk mjafton falënderimi dhe përulja, atëherë po e shoh që po e vajtoni këtë temë pa nevojë.

Nuk jemi as ju as unë të parët, e as të fundit që kemi ndihmuar dikë. Ka pasur njerëz që kanë ndihmuar edhe shumë më tepër, por e kanë bërë me zemër e shpirt dhe kurrë nuk janë mburrur.

Fansave të të gjitha partive politike u kërkoj falje për çdo herë që ju kam sjellë hidhërim. Po ashtu, partive dhe liderëve politikë u kërkoj falje, sepse po bindem se ndoshta ajo qasje e imja nuk paska vlejtur.

Uroj që si qytetarë dhe si popull, një herë e përgjithmonë ta kuptojmë se përçarja dhe hasmëria nuk na bëjnë nder. Përkundrazi, ato i shkojnë për shtati armiqve të shtetit dhe të popullit tonë.

Ju që më keni ndihmuar, mos e vajtoni më këtë muhabet.

Përgjigjja ime ndaj jush ka qenë dhe do të mbetet mirënjohja.

Në fund, jam krenar që u linda dhe u rrita në një familje që me breza ka sakrifikuar dhe ka punuar për çdo kauzë të këtij vendi, pa u mburrur kurrë, sepse sado që të bëjmë për vendin tonë, kurrë nuk është e mjaftueshme.

Albertin që e keni njohur dikur, nuk do ta shihni më në vazhdim.

Zoti e bekoftë çdo qytetar të Kosovës dhe gjithë diasporën shqiptare kudo në botë.

Me respekt dhe shumë dashni,

Alberti