Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit- PZAP trajton të gjitha ankesat, 73 gjithsej
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Me të përfunduar numërimi, KQZ-ja publikoi edhe rezultatet nga ku doli se Vetëvendosje arriti të marrë 51.11% të votave. PDK-ja u rendit si parti e dytë me 20.19 për qind ndërsa LDK-ja mori 13.23%. AAK-ja ndërkaq…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Me të përfunduar numërimi, KQZ-ja publikoi edhe rezultatet nga ku doli se Vetëvendosje arriti të marrë 51.11% të votave.
PDK-ja u rendit si parti e dytë me 20.19 për qind ndërsa LDK-ja mori 13.23%. AAK-ja ndërkaq mori 5.50%.
E derisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përfundoi numërimin, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vazhduar deri më sot trajtimin e ankesave të cilat janë bërë në kuadër të këtyre zgjedhjeve.
Në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, PZAP bëri të ditur se që nga fillimi i këtij procesi kanë pranuar gjithsej 73 ankesa.
E sot ka përfunduar edhe trajtimi i tyre. Më saktësisht janë trajtuar gjithsej 73 ankesa të paraqitura më parë, që i bie që KQZ do të mund t’i certifikojë më pas edhe rezultatet finale të këtyre zgjedhjeve.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për këtë proces zgjedhor të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura me datë 28.12.2025 ka pranuar gjithsej 73 ankesa”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, të premten vonë PZAP e hodhi poshtë si të pa afatshme kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata.
PDK kishte kërkuar nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.
E sot gjatë ditës, PZAP nxori vendim edhe për ankesën e Bekim Haxhiut, i cili kërkoi të anulohen fletëvotimet e pranuar me postë pas datës 29.12.2025.
Saktësisht bëhet fjalë për fletëvotimet e pranuara më 02 dhe 05.01.2026 për zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 28.12.2025.
PZAP e kishte rrëzuar edhe ankesën e PDK-së për votat e njëjta.
Në zgjedhjet e parakohshme nacionale, morën pjesë 45% e trupit votues.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit ishin rezultat i mospajtimeve dhe përplasjeve ndërmjet partive politike, të cilat pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk arritën ta konstituonin Kuvendin deri më 10 tetor.
Si rezultat i këtyre zgjedhjeve do të ndryshojë edhe numri i mandateve që partitë politike do kenë në Kuvend.
Vetëvendosje në legjislaturën e re do të ketë 57 deputetë, PDK 22, LDK 15, AAK- gjashtë ulëse, Lista Serbe 9./Lajmi.net/