Pas tërheqjes së SHBA, Erdogan: Trupat turke hyjnë në veri të Sirisë

16:53 | 9 Tetor 2019

Pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-ve, trupat turke nisën ofensivën në veri të Sirisë. Lajmi është konfirmuar nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas tij, Turqia kërkon të krijojë një “zonë të sigurt e të pastruar” nga paraushtarakët kurdë, të cilët ishin aleatët kryesore të Shteteve të Bashkuara në mposhtjen e grupit të dhunshëm xhihadist, Shteti Islamik në Siri.

Pak ditë më parë, SHBA largoi trupat ushtarake nga Siria, gjë e cila ishte si “thikë pas shpine” për kurdët. Por, pas largimit të trupave amerikane, presidenti Donald Trump paralajmëroi Truqinë që të mos ndërhynte në Siri, ose në të kundërt do të shkatërronte totalisht ekonominë e saj.

Ndërkohë, lëvizja e fundit e Turqisë tregon se ky kërcënim ka pasur shumë pak efekt. Veprimi i Trumpit u dënua deri edhe nga aleatë republikanë të presidentit të SHBA-së. Turqia i konsideron terroristë milicët kurdë, të cilët janë shumicë mes Forcave Demokratike Siriane (SDF).