Pas takimit mes Hamzës dhe Kurtit, PDK mbledh nesër Grupin Parlamentar dhe Kryesinë

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë nesër një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së partisë. Sipas burimeve të Gazeta Express, takimi është caktuar të mbahet në orën 14:00, në selinë qendrore të PDK-së, transmeton lajmi.net. Mbledhja vjen pas takimeve të zhvilluara nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, me kryeministrin Albin Kurti,…

Lajme

03/10/2026 21:39

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë nesër një mbledhje të përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Kryesisë së partisë.

Sipas burimeve të Gazeta Express, takimi është caktuar të mbahet në orën 14:00, në selinë qendrore të PDK-së, transmeton lajmi.net.

Mbledhja vjen pas takimeve të zhvilluara nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, me kryeministrin Albin Kurti, në kuadër të diskutimeve për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Sipas informacioneve të raportuara më herët, në takimin Kurti-Hamza është diskutuar edhe për renditjen e hapave që duhet të ndërmerren në Kuvend.

Kurti, sipas këtyre burimeve, ka kërkuar që fillimisht Projektligji për Dhomat e Specializuara të kalojë në lexim të parë, më pas Kuvendi të procedojë me zgjedhjen e presidentit dhe vetëm pas kësaj të votohet leximi i dytë i projektligjit.

Kjo formulë nuk është pranuar nga Hamza. PDK-ja ka insistuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të përfundojnë në Kuvend, përkatësisht të miratohen në të dy leximet, para se partia të përfshihet në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Pas takimit të fundit me Kurtin, Hamza deklaroi se PDK-ja mbetet e gatshme për një marrëveshje, por kërkoi që fillimisht të përfundojë procesi për ligjin.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, me bisedu me gjet zgjidhjen për presidentin dhe me i dhanë votat për presidentin”, kishte deklaruar Hamza.

Mbledhja e nesërme e Grupit Parlamentar dhe Kryesisë pritet të shërbejë për diskutimin e situatës së krijuar pas këtyre takimeve dhe për përcaktimin e hapave të mëtejmë të PDK-së./lajmi.net/