Pas Lipjanit, serbët mblidhen edhe në Graçanicë, kundërshtojnë arrestimet e djeshme

Autoritetet kosovare i kanë arrestuar shtatë persona të nacionalitetit serb në afërsi të Prishtinës të mërkurën, nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve në prag zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit të ardhshëm, duke nxitur reagime nga Serbia fqinje. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal…

Lajme

20/05/2026 13:36

Autoritetet kosovare i kanë arrestuar shtatë persona të nacionalitetit serb në afërsi të Prishtinës të mërkurën, nën dyshimet për “kërcënime, presion dhe shantazh” ndaj vullnetit të lirë të votuesve në prag zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të muajit të ardhshëm, duke nxitur reagime nga Serbia fqinje.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se ata u arrestuan në Graçanicë lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave të lartcekura.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se pesë persona u ndaluan për “cenim të vullnetit të lirë të votuesve në Graçanicë”, komunë me shumicë serbe në Kosovë.

Këto arrestime ndodhën pasi ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, akuzoi Listën Serbe për “presion” dhe “frikësim” ndaj mbështetësve të tij, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente të Kosovës që të reagojnë.

E pas kësaj serbët kanë nisur që të ndërmarrin hapa të tjerë.

Përpara shkollës fillore “Braca Aksic” në Lipjan është mbajtur një protestë e qytetarëve serbë dhe punonjësve të shkollës për shkak të arrestimit të drejtoreshës, Milica Dimiq dhe disa serbëve të tjerë nga Graçanica dhe zonat përreth.

Protesta u mbajt nën sloganin “Ne të gjithë jemi Milica” dhe zgjati rreth 20 minuta.

Kurse pak më parë serbët kanë nisur të mblidhen edhe në Graçcanicë.

Të njëjtit u mblodhën për të kundërshtuar arrestimet që u bën dje.

Ndryshe ministri në detyrë, Xhelal Sveçla shkroi në Facebook se “akte të tilla, që targetojnë drejtpërdrejt qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, burojnë nga direktiva të orkestruara nga Serbia, të cilat cenojnë pluralizmin politik dhe rendin demokratik në vendin tonë”.

Prokuroria, ndërkaq, tha se ka vepruar sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale mbi pretendimet e Rashiqit, i cili është lider i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha një ditë më vonë për media se Serbia po i “frikëson dhe shantazhon në çdo mënyrë” serbët e Kosovës për t’i detyruar ta votojnë Listën Serbe në zgjedhjet e 7 qershorit.

“Kurrë nuk ka pasur kaq shumë trysni nga Beogradi, kërcënime, shantazhe, shkëputje të mjeteve të ndryshme financiare ose çfarëdo mbështetje që kanë marrë nga Serbia ndonjëherë me kushtëzimin që të rreshtohen – thua se bëhet fjalë për ushtri në kohë lufte – në radhët e Listës Serbe”, tha Kurti.

Prokuroria tha se ka mbledhur deklarata dhe prova mbi bazën e të cilave dyshohet se personat e arrestuar kanë qenë të përfshirë në cenim të vullnetit të lirë të votuesve.