Pas 5 mandatesh, LDK ndërron kandidatin për kryetar komune në Fushë Kosovë – Besnik Osmani garon në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar të Komunës në Fushë Kosovë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kryetari aktual i Fushë Kosovës, Burim Berisha i cili udhëheq Fushë Kosovën për 5 mandate nuk do të jetë më kandidat për kryetar. Në vend të Burim…

Lajme

08/07/2025 20:54

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidatin për kryetar të Komunës në Fushë Kosovë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kryetari aktual i Fushë Kosovës, Burim Berisha i cili udhëheq Fushë Kosovën për 5 mandate nuk do të jetë më kandidat për kryetar.

Në vend të Burim Berishës, LDK i ka besuar këtë kandidim Besnik Osmanit të cilin Abdixhiku e ka quajtur profesionist të jashtëzakonshëm.

“Ka një emocion të veçantë kur një epokë e gjatë e suksesshme mbyllet me dinjitet, dhe një kapitull i ri hapet me shpresë. Kështu ndodhi sot në Fushë Kosovë. Po e mbyllim një epokë të tërë me një ikonë fitoresh për LDK-në, Burim Berishën, për të nisur një të re, me një profesionist të jashtëzakonshëm të Lidhjes Besnik Osmanin. Me mirënjohje të thellë, falënderojmë Burim Berishën – njeriun që për 25 vjet,me 5 mandate si i zgjedhur, i dha kësaj komune një drejtim të qetë, vizionar e të përgjegjshëm. Nga një paralagje, qytezë fushash, ai transformoj Fushë Kosovën në qytetin me ritmin më të lartë zhvillimor në Kosovë. Prandaj Fushë Kosova sot është shtëpi e plot 70 mijë banorëve. Ai nuk ndërtoi vetëm rrugë e shkolla – ai ndërtoi besim, respekt dhe kulturë të shërbimit publik. Sot, me aktin kalimit të stafetës tek fjenerata tjetër, Burimi dëshmoi edhe një herë madhështinë e karakterit të tij – duke dhënë shembullin më të mirë të lidershipit me maturi, pa zhurmë e me shumë përkushtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se historia e mirë e LDK-së në Fushë Kosovë nuk përfundon këtu por vazhdon.

“Sot, me besim të plotë dhe krenari, shpallëm kandidaturën e Besnik Osmanit për Kryetar të Komunës. Ai është vazhdimësia jonë – një njeri i përkushtuar, i matur, me përvojë konkrete në qeverisje dhe vizion të qartë për të ardhmen. LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje. Dhe kjo familje sot dha një dëshmi të rrallë bashkimi dhe kalimi të përgjegjësisë, nga një fitues – te një tjetër”, ka shkruar Abdixhiku. /Lajmi.net/