Partitë s’merren vesh për rendin e ditës – Haxhiu i fton për konsultë shefat e grupeve parlamentare

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zhvilluar debat i gjerë lidhur me renditjen e pikave të rendit të ditës, ku në fokus kanë qenë disa rezoluta të propozuara nga grupet parlamentare të pozitës dhe opozitës. Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që propozimrezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së…

Lajme

10/04/2026 11:47

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është zhvilluar debat i gjerë lidhur me renditjen e pikave të rendit të ditës, ku në fokus kanë qenë disa rezoluta të propozuara nga grupet parlamentare të pozitës dhe opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që propozimrezoluta për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës së viteve 1998–1999 të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës, duke e vlerësuar si çështje me rëndësi të veçantë kombëtare, transmeton lajmi.net.

Në këtë kontekst, nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka theksuar se nuk duhet të ketë hezitim për trajtimin e çështjeve që opozita i konsideron prioritare, duke e cilësuar situatën si të pazakontë për funksionimin e Kuvendit.

“Ka çështje që nuk mund të anashkalohen dhe duhet të trajtohen me prioritet”, ka deklaruar Çitaku gjatë diskutimeve.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që renditja e pikave të mbetet sipas agjendës së propozuar, duke theksuar se fillimisht duhet të trajtohen marrëveshjet ndërkombëtare, e më pas rezolutat, në mënyrë që procesi të jetë i balancuar institucionalisht.

Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar që rezoluta për uljen e çmimeve të naftës të rikthehet për shqyrtim para trajtimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ajo ka rikujtuar se çështja e çmimeve të karburanteve ka qenë temë e diskutuar më herët në Kuvend dhe, sipas saj, kërkon veprim të menjëhershëm institucional.

Si shkak i këtij debati për rend të ditës, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu i ka thirru për konsultë shefat e grupeve parlamentare./lajmi.net/