Partia e Milaim Zekës pa vija të kuqe, hyn e vetme në zgjedhje

Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK) me kryetar Milaim Zekën, ka vendosur që në zgjedhjet e parakohshme të mos bëj koalicion parazgjedhor me askënd.

Lajme

16/08/2019 11:11

Në zgjedhjet e parakohshme, partia e Milaim Zekës, Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK), nuk do të bëj koalicion parazgjedhor me askënd.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, vet kreu i kësaj partie, Milaim Zeka.

“Ne kemi vendos si parti që nuk shkojmë në koalicion me askënd”, ka thënë Zeka.

Sa i përket vijave të kuqe, Zeka ka thënë se vija të kuqe nuk ka në politikë por që sipas tij, PEK-u nuk do të bëj koalicion me partitë që siç tha ai, e kanë vjedhur këtë vend.

“Vije të kuqe s’kemi me askënd, pos me veten tonë. Kjo puna e vijave të kuqe në politikë faktikisht, që po të them s’kemi vija të kuqe me askënd pos me veten tonë, është një parim i ri që kemi thënë ne. Vija të kuqe nuk ka në politikë. Vija të kuqe ka veç me veten tonë. Ne nuk mundemi me shkua në koalicion me partitë politike që e kanë vjedh këtë vend. Tash çka kemi me rrejt na në fushatë. Ne nuk e shohim, asnjëri prej neve në Partinë Euroatlantike nuk e shohim politikën si shpresën e fundit të jetës sonë, të varësisë sonë, perspektivës sonë. Ne kemi plot punë çka me ba edhe mos me hy në parlament edhe mos me u marrë me politikë. Të gjithë jemi të punësuar dhe të gjithë në njëfarë mënyre e kemi jetën e siguruar e të garantuar”, deklaroi Zeka për lajmi.net.

Zeka e ka thumbuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, që bëri koalicion paszgjedhor me partitë që siç u shpreh ai, i ka sharë tërë kohën.

“Tash unë s’po kuptoj qysh mundet me shkua në koalicion parazgjedhor partitë të cilat janë sharë tërë kohën mes vete. Siç bëri atëherë PAN-i. Ose Isa Mustafa i fitoi zgjedhjet atëherë duke thënë se na ka vrarë SHIK-u, e në fund bëri koalicion me SHIK-un”, u shpreh ai.

Zeka ka thënë se partia e tij gjatë fushatës e ka për qëllim që t’ju tregojë qytetarëve siç u shpreh ai, kush ua ka vjedhur buxhetin, perspektivën, kush i ka keqpërdor paratë, çka kanë bërë me ndërmarrjet publike, çka kanë bërë me privatizim dhe se si sipas tij, qeveritarët e deritanishëm e kanë shkatërrua biznesin privat dhe ekonominë e këtij shteti.

“Këta e kanë shkatërrua ekonominë e këtij vendi e kanë rrit TVSH-në në Dogana Qeveritë e Kosovës, se TVSH në Dogana paguajnë vetëm vendet diktatoriale. Nuk paguan njeri TVSH në Doganë, ti paguan TVSH vetëm kur e shet mallin”, u shpreh Zeka.

Ndryshe, Milaim Zeka deri më tani ishte pjesë e Nismës Socialdemokrate, me zyrtarë të së cilës ai jo rrallë herë kishte pasur përplasje. /Lajmi.net/