Partia e Kurtit nuk e ndal dorën | Ish-asistentja e ish-deputetes së VV-së punësohet në MPB, më herët aty u emërua edhe vëllai i saj
Albana Bucaliu, ish-asistente e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Metaj-Isufi, ka nisur punën në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla. Bucaliu ka bërë të ditur se më 19 nëntor 2026 ka filluar angazhimin në këtë institucion, ku është emëruar në pozitën e Zyrtares së Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, transmeton…
Lajme
Albana Bucaliu, ish-asistente e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Metaj-Isufi, ka nisur punën në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla.
Bucaliu ka bërë të ditur se më 19 nëntor 2026 ka filluar angazhimin në këtë institucion, ku është emëruar në pozitën e Zyrtares së Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, transmeton lajmi.net.
Lajmin për punësimin e saj e ka publikuar vetë ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur kënaqësinë për detyrën e re.
“Të nderuar miq e familjarë, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftoj që nga sot po filloj shërbimin tim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës në pozitën e Zyrtares së Lartë për Bashkëpunim Ndërkombëtar”, ka shkruar Bucaliu.
Ajo ka bërë të ditur se në këtë pozitë synon të kontribuojë me përgatitjen e saj akademike, duke theksuar se ka përfunduar dy programe master, një në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe tjetrin në Integrime Evropiane dhe Administratë Publike.
“Jam tejet e lumtur që, gjithë njohuritë dhe përgatitjen profesionale që kam fituar gjatë studimeve të mia, me ç’rast mbaj dy tituj magjistreje, atë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe në Integrime Europiane dhe Administratë Publike, t’i vë në shërbim të vendit tim të shtrenjtë, Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Bucaliu në të kaluarën kishte punuar si asistente e Shqipe Metaj-Isufit, e cila për një mandat katërvjeçar kishte qenë deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, ajo nuk është personi i vetëm që ka pasur lidhje familjare ose profesionale me ish-deputeten Metaj-Isufi dhe që është emëruar në një pozitë në MPB.
Në janar të këtij viti, në këtë ministri ishte emëruar edhe Genc Metaj, vëllai i ish-deputetes, në pozitën e Sekretarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Para këtij emërimi, Genc Metaj kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
Sipas biografisë së tij publike, ai ka një të kaluar në karrierën ushtarake dhe ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 2016, ishte shpallur rreshteri më i mirë në një akademi ushtarake për rreshterë madhorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me punësimin e Albana Bucaliut, brenda të njëjtit vit në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë emëruar dy persona që kanë pasur lidhje të mëparshme familjare ose profesionale me ish-deputeten e Vetëvendosjes, Shqipe Metaj-Isufi./lajmi.net/