Partia e Fortë e quan Teatrin Kombëtar “Kadri Veseli”

Partia e Fortë ka gjetur edhe një rast për të satirizuar me përzgjedhjen e drejtorit të ri të Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

ShowBiz

19/04/2014 18:01

Në një komunikatë të lëshuar, ekspert të kësaj partie, në mënyre ironike kanë propozuar që përveç ndryshimeve në udhëheqësinë e këtij Teatri, të bëhet rikonstruktuimi i tij, duke vendosur një sallë rrotulluese mbi ekzistuesen.

Ata kanë aluduar me “sallën rrotulluese” të restoranit “Pandora Tower”, me pronar Valdet Avdiun, i cili së fundmi u zgjodh drejtor i Teatrit Kombëtar të Prishtinës. 

“Partia e Fortë përmes një kumtese për media ka uruar përzgjedhjen e udhëheqësit të ri në Teatrin Kombëtar “Kadri Veseli”.

“Urojmë drejtorin e ri të Teatrit Kombëtar për postin e marrë plot meritë dhe urojmë që sa më parë të fillojë zbatimin e projekteve të tij,” thuhet në kumtesën dërguar mediave.

“Mezi po presim që të kemi një sallë rrotulluese mbi objektin e teatrit aktual. Besojmë që një shtesë e tillë do të përfaqësonte denjësisht vlerat tona kulturore të cilat rrotullohen në maksimumin e tyre prej 360 shkallësh,” ka thënë përmes kësaj kumtese Dren Maliqi, nënkryetar i Partisë së Fortë, ekspert për çashtje kulturore, duke aluduar në projektin e Pandora Tower që është pronë e drejtorit aktual.

“Mos të harrojmë, që drejtori i ri është një poet, magjistër i letërsisë, njeri i biznesit. Ai madje ishte edhe në UÇK. Kjo e fundit është përvoja më e dobishme për një drejtor teatri. Duke treguar vullnetin e tij për tu adaptuar me ambiente të reja të punës, drejtori i ri është themelues i teatrit alternativ Etuta. Shpresojmë që fatin e Etutës ta ndjekë edhe TK-ja”. 

“Nganjëherë, në përzgjedhjet e mëdha luan rol edhe fati. E Kosova pati fat. Pra miqësia e tij me Kadri Veselin nuk ka ndikuar në përzgjedhjen në atë pozitë”.

“Për këtë na garanton kjo fjali që po e shkruajmë tash e që po e përmbyllim me shkronjën “a”. Koincidentalisht, njerëz të afërt me PDK-në ishin në Këshillin Gjenial Drejtues (që padrejtësisht quhet vetëm Këshill Drejtues) që përzgjodhi drejtorin”.

“Dy ish-këshilltarë dhe një kandidat i PDK-së për asambleist në Komunën e Prishtinës që ishin anëtarë të këtij këshilli janë kujdesur që PDK të mos ndërhyjë në këtë proces. Ata kanë luftuar me anëtarët tjerë që t’i bindin ata për votim sa ma të paanshëm”.

“Jam i gëzuar për përzgjedhjen. Teatri “Kadri Veseli” me drejtorin e ri hap një kaptinë të re në përmirësimin e këtij arti në Kosovë,” e përmbyllë z. Maliqi deklaratën e tij.