Të Infektuar: 68.351

Të Shëruar: 59.438

Të Vdekur: 1.592

Paralajmërimet për rritje të rasteve me COVID-19, mbi 1000 u regjistruan vetëm për 3 ditë

23:35 | 23 Shkurt 2021

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 368 raste të reja me COVID-19.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik gjatë këtij 24 orëshi janë testuar gjithsej 2843 mostra dhe prej tyre 368 kanë rezultuar pozitive, shkruan lajmi.net.

Brenda 24 orëve janë raportuar 4 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (71, 86 vjeç), Prizren 1 rast (78 vjeç) dhe Shtime 1 rast (62 vjeç).

Përveç kësaj, gjatë këtij 24 orëshi janë 241 pacientë që kanë arritur të shërohen nga COVID-19.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë regjistruar edhe 260 raste të reja me koronavirus dhe janë shëruar edhe 190 të tjerë.

Para dy ditësh në Kosovë kishte një numër të lartë të rasteve të reja me koronavirus ku u regjistruan 398 raste dhe 228 të shëruar.

Sipas këtyre të dhënave, brenda 3 ditëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 1026 raste të reja me koronavirus dhe janë shëruar 659 pacientë.

Bazuar në këtë, i bie që për 3 ditë në Kosovë janë shtuar 367 raste aktive.

Numri total i rasteve pozitive është 67.008 raste nga 291.847 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.579 raste të vdekjes.

Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.600 raste, kurse numri i rasteve aktive është 6.829.

Por, sipas ekspertëve tubimet elektorale dhe mos-respektimi i masave mund të kenë ndikuar që në Kosovë të ketë rritje të rasteve të reja ditore me koronavirus.

Ditë më parë drejtori i Shërbimit Spitalor, Infektologu Valbon Krasniqi është shprehur se është vështirë e parashikueshme por se mos-respektimi i masave ka rezultuar në të kaluarën në rritje të rasteve me COVID-19.

“Është e vështirë të parashikohet sa do të kemi rritje të numrit të rasteve të reja të infektuara, megjithatë pandemia na ka mësuar se çdo herë kur ka mosrespektim të masave dhe mund të pritet një numër i madh i të infektuarve sidomos grumbullimet e njerëzve në masë të madhe në mjekësi njihet si super shpërndarës i infeksionit ne po e përcjellim situatën epidemiologjike me vëmendje dhe varësisht nga situata që do të paraqitet ne do të kundër përgjigjemi. Sidoqoftë u bëjë thirrje qytetarëve që ti respektojnë masat anticovid në veçanti të vazhdojnë të bartin maska dhe të ruajnë higjienën”, shtoi Krasniqi.

Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar shtrëngim të masave, derisa qytetarët dhe bizneset kanë paralajmëruar se nuk do t’i respektojnë masat. /Lajmi.net/