Paraburgim 30-ditor për të dyshuarin për krime lufte në Kaçanik, dyshohet për keqtrajtim të civilëve në vitin 1999

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet A.D., i cili po hetohet për krime lufte kundër popullsisë civile. Lajmin për caktimin e paraburgimit e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, ndërsa rasti është iniciuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Sipas…

Lajme

07/04/2026 13:45

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet A.D., i cili po hetohet për krime lufte kundër popullsisë civile.

Lajmin për caktimin e paraburgimit e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi, ndërsa rasti është iniciuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, i dyshuari, në kohën e luftës në vitin 1999, kishte qenë pjesë e strukturave të policisë serbe (MUP) në Ferizaj dhe kishte vepruar edhe në rajonin e Kaçanikut.

Hetimet thonë se ai dyshohet të ketë marrë pjesë në një operacion të organizuar kundër civilëve shqiptarë në fshatin Ivajë dhe zonat përreth, ku banorët u dëbuan me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa pronat e tyre u dogjën.

Po ashtu, një numër i madh civilësh u grumbulluan dhe dhjetëra burra u ndanë nga pjesa tjetër për t’u dërguar në stacion policor. Nga ta, 13 persona dyshohet se janë ndaluar dhe më pas janë keqtrajtuar rëndë gjatë marrjes në pyetje, duke pësuar dhunë fizike dhe psikike.

Procedurat ndaj të dyshuarit pritet të vazhdojnë në ditët në vijim./lajmi.net/