​Papa i ri kthen bonuset në Vatikan

Papa Leoni i Katërmbëdhjetë ringjalli një traditë të dikurshme të Vatikanit duke i dhënë punonjësve një bonus prej 500 eurosh për zgjedhjen e një Pape të ri. I ashtuquajturi bonus i konklavës u hoq në vitin 2013 nën Papa Françeskun e ndjerë, por thuhet se u rifut të premten, përpara audiencës së parë zyrtare të…

Bota

24/05/2025 17:51

Papa Leoni i Katërmbëdhjetë ringjalli një traditë të dikurshme të Vatikanit duke i dhënë punonjësve një bonus prej 500 eurosh për zgjedhjen e një Pape të ri.

I ashtuquajturi bonus i konklavës u hoq në vitin 2013 nën Papa Françeskun e ndjerë, por thuhet se u rifut të premten, përpara audiencës së parë zyrtare të Papës me Kurinë Romake, institucionet administrative dhe punonjësit e Selisë së Shenjtë, raporton KosovaPress.

Bonusi synohej si një falënderim për punën gjatë periudhës së tranzicionit pas vdekjes së Françeskut më 21 prill dhe zgjedhjes së Papa Leonit në krye të Kishës Katolike më 8 maj, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Mbi 4 mijë punonjës të Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Qytetit të Vatikanit duhet të përfitojnë nga kthimi i bonusit.

Gjatë pontifikatit të Françeskut, Vatikani duhej të zbatonte masa të shumta shtrënguese për shkak të deficiteve të vazhdueshme buxhetore, duke përfshirë uljen e pagave të kardinalëve.

Kujtojmë, punonjësit në Vatikan nuk paguajnë tatimin mbi të ardhurat për shërbimet e tyre.