Panxha: Taksa ndikoi në rritjen e prodhimit dhe punësimit

Kosova vazhdon të ketë bilanc negativ tregtar në raport me partnerët e saj, megjithatë pas vendosjes së tarifës 100 për qind, të dhënat tregojnë që në vitin 2019 importi ka pësuar rënie.

Lajme

22/01/2020 12:38

Kështu u tha sot në tryezën e diskutimit të organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës e cila ka për qëllim diskutimin mbi efektet e tarifës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja, në ekonominë e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha tha se rritja vjetore e importit nga viti 2017 në vitin 2018 ishte 11 për qind, ndërsa në vitin 2019 rritja vjetore e importit ishte vetëm 4 për qind, ndërkaq eksportet kanë shënuar një rritje prej 6 për qind gjatë vitit 2019.

Ai tha se një indikator tjetër i efektit pozitiv të tarifës është rritja e numrit të të punësuarve në sektorin e prodhimit, si dhe rritja e shitjes së produkteve vendore.

“Për herë të parë që nga paslufta kemi ulje të vëllimit të importit, që nënkupton se një pjesë e saj është zëvendësuar me prodhim vendor. Kemi rritje të importit të makinerisë për prodhim, po ashtu kemi rritje të kreditimit në sektorin e prodhimit. Pra, brenda një viti 26 për qind është rrit kreditimi për sektorin e prodhimit, ndërsa për periudhën e njëjtë kohore nëntor 2018-nëntor 2019 të dhënat e BQK-së kemi ulje të kreditimit në tregti. Po ashtu, kemi rritje të kreditimit në bujqësi. Sipas ASK-së, kemi ngritje reale të punësimit në sektorin e prodhimit. Pastaj kemi rritje të shitjes së produkteve vendore”, tha Panxha.

Panxha po ashtu tha se për shkak të vendosjes së taksës, shteti serb ka vendosur masa bllokuese ndaj eksporteve të Kosovës.

Ndërsa, Fejzullah Mustafa pronar i kompanisë “Fluidi”, tha se taksa 100 për qind ka pasur një efekt pozitiv në kompaninë e tij.

Ai tha se ka pasur një ngritje të prodhimit dhe shitjes për produktet e lëngjeve, sidomos për produktet e vajit ushqimor.

“Efekti i taksës ka qenë në ngritje e prodhimit, punëtorëve dhe investimeve, po ashtu edhe për blerjen e pajisjeve prodhuese, ku të gjitha këto kanë një efekt  edhe për shtetin e Kosovës. Mirëpo, sidoqoftë ne duhet të mendojmë edhe për atë se çka pas taksës? Taksa me siguri nuk do të mbetet në fuqi me vite të tëra. Unë mendoj se taksa ka ndikuar në vetëdijesim e konsumatorëve se duhet të konsumohen produktet vendore”, tha Fejzullahu, raporton kp.

Profesori universitar Muhamet Mustafa lidhur me këtë temë, tha se kur është vendosur taksa ishte paralajmëruar se do të ketë mungesë të mallrave dhe do të pësojë buxheti, por sipas tij, ka ndodhur e kundërta, pasi që ka pasur rritje të buxhetit dhe këto mallra janë zëvendësuar nga shtete tjera dhe disa nga vendi.

“Kur është vënë taksa natyrisht se kemi pasur një pjesë të njerëzve, të cilët kanë menduar që Kosova do ta ketë shumë vështirë dhe do të ketë problem furnizimi i tregut, do të rritet inflacioni, do të zvogëlohet buxheti. Kështu që kanë qenë non- sens në kuptimin ekonomik për arsye se asgjë prej tyre nuk ka ndodhur. Nuk është zvogëluar buxheti, por është rritur buxheti”, deklaroi Mustafa.

Ai tha se vetë fakti që në vitin 2017 dhe në 2018 kishte vetëm 45 milionë euro për investime në makineri, në vitin 2019 vlera e investimeve në makineri ka arritur në 56 milionë euro nga prodhuesit vendorë.

Po ashtu edhe Gojart Kelmendi, pronar i kompanisë ‘Flutra’, tha se në kompaninë e tij ka pasur efekt pozitiv taksa 100 për qind, por shtoi se nëse hiqet ajo Qeveria duhet t’i mbrojë prodhuesit.

Kelmendi tha po ashtu se në të gjitha parametrat ka pasur rritje në sektorin e letrës dhe 25 për qind ka pasur rritje të punësimit, si dhe shitjes në kompaninë e tij.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për taksën 100 për qind edhe pas shumë kërkesave nga Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për pezullimin e saj.

BE dhe SHBA në vazhdimësi po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është bllokuar që nga vendosja e taksës në nëntor 2018.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradiunaj ka bërë me dije se taksa ndaj Serbisë do të hiqet vetëm atëherë kur kjo e fundit ta njohë Kosovën shtet të pavarur.