Agon Fejzullahu, është 27 vjeçari nga Lipjani i cili ka humbur jetën të dielën në qytetin e tij të lindjes në duart e pesë policëve të Kosovës.
Fejzullahu derisa po arrestohej nga këta policë është përballur me një dhunë nga ta.
Në disa pamje që ka siguruar T7, policët shihen derisa i kanë hipur mbi me gjunjë në kokë dhe e shtypin atë.
Fejzullahu ka humbur jetën gjatë këtij sulmi nga policët të cilët janë ndaluar dhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë është kërkuar paraburgimi i tyre.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.
Në lidhje me këtë rast, pak orë më parë disa detaje shtesë i ka dhënë edhe Policia e Kosovës të cilët në asnjë fjali nuk tregojnë se si ka ardhur vdekja e tij.
Ata thonë se Agon Zejnullahut i është gjetur substancë pluhur, që dyshohet të jetë narkotikë si dhe thuhet që i ndjeri s’ka qenë bashkëpunues dhe se ka tentuar të ikë.
“Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike.”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ende nuk ka sjell një raport preliminar se si ka ardhur vdekja e tij derisa kanë thënë se autopsia ka përfunduar dje.
“Me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të ndjerin Agon Zejnullahu. Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës. Ne kemi parë sot nëpër portale të ndryshme lajmin se ka dalur raporti preliminar për rastin në fjalë. Me përgjegjësi morale e profesionale, deklarojmë se nga IML nuk ka dalur ndonjë raport i tillë, dhe ky lajm si i tillë është jo i vërtetë.”
IML thotë se janë duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë. IML është e përkushtuar në mandatin e saj ligjor, në mënyrë që të ofroj ekspertizën mjeko ligjore për organet e drejtësisë dhe qytetarët e Kosovës.”
Sot, për lajmi.net ka folur edhe vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu i cili ka treguar se si janë njoftuar për vdekjen e vëllait të tij.
“Diku pas mesnate, rreth orës 1 të mëngjesit, na telefonuan nga stacioni policor na thanë të shkojmë në emergjencë për vëllain tonë. Kur të thërrasin për me shku në emergjencë është e trishtueshme, pritëm ndonjë aksident i vogël. Nuk na treguan më shumë. Hymë direkt, nuk na njoftoj askush më shumë, derisa shkuam direkt tek mjekja aty, ish kanë (emergjenca) e mbushur me policë, ke pak e çuditshme. Kur hymë brenda, po e shohim vëllaun, ia kishin vendos një qarqaf të bardhë mbi. Pyetja e babës ke ‘pse e keni mbulu, po ia zini frymën?’. Tani mjekja tha ‘ka vdek’.”, tha fillimisht ai.
Tutje, ai tregoj se sjellja e policëve ishte dyshuese dhe se askush nuk i jepte informacione.
“Jo që nuk na dhanë sqarime, por unë e kam theksu dhe do ta ritheksoj, aty ka pas policë që unë i njohë, janë shmang, u shtyjshin me një anë, nuk janë ardhë as me m’thanë ngushëllime e që nuk e kuptojsha. Dola jashtë, ju thashë do shokëve që erdhën aty pse ‘X’ personi nuk po vjen të më thotë bile ngushëllime. Unë u bëra gati, ka shku vëllai, nëse ju ka shkaktu problem të ju kërkoj falje institucioneve nëse ka vepru najsen keq. Nuk na shpjegojshin diçka qartë, nuk na kanë dhanë ndonjë letër pse ka vdekë. Zanat që i dëgjojshëm aty duke fol policët e sene, ‘jo infarkt’, ‘jo dozë e lartë e alkoolit’. Ne kur e hapëm kufomën në atë moment, kishte pasur shumë shenja, brinjë të thyem, nuk u dijke a ka qenë në luftë, nuk u kuptojke situata me trupin e tij. Okej mundet me pas një shenj në kokë nëse bie në tokë…”, shtoi Alban Zejnullahu.
Vëllai i të ndjerit dyshon se i gjithë rasti ka mundur të jetë i përgatitur.
“Lipjani është i vogël, i njohim të gjithë. I njohim shumë mirë, me disa prej tyre mund të them se kemi pirë edhe kafe. Cili ka qenë qëllimi i tyre nuk e di. Po duket ngjarje e përgatitur. Aty ndërhynë një policë civil i Ferizajt, nuk po tham që nuk mund të vije në Lipjan, po nuk po dihet pse ka qëllu në atë moment, që e nxjerrë prej makine vëllain tem, tani kinse spontanisht vijnë policia” , tha ai.
Alban Zejnullahu paralajmëroi se sot avokati e siguron një video, ku shihet e tërë ngjarja dhe se si ka vdekur vëllai i tij.
“Sonte në mbrëmje, avokati e siguron një video që nuk është parë deri më tani, ku shihet qartë prej momentit të shtrirjes deri në momentin kur fillon të bërtasë “lëshomë, se me nalët frymën”, i prek, ju thotë “çka jeni duke më ba kështu”. I hypë njani, 1 minutë e 30 e diçka sekonda, ia vendos këmbën në kokë, derisa nuk levizë më, të tjerët i hypin i mëshojnë sa mujnë. Kur e shohin situatë, se kjo pamje nuk u pa, policët e shtyjnë njëri-tjetrin, çka kanë mujt me thanë ‘nal se e mytëm’. Del njani i qetë ujë në fytyrë, e lidhin me pranga, e mbajnë ne atë mënyrë të vdekur me kokën poshtë, e lanë aty, e thirrin emërgjencën, i thojnë hajde një rrahje. Publiku e ka parë prononcimin e mjekes. Ajo shkon për një rrahje aty, pas andej, në vend të ngjarjes e kupton që ai është i vdekur. Bile ju thotë mjekja “largonja prangat njeriu të vdekur, qysh po e mbani këshut”. Dyshimi jonë është që ka qenë, prej krejt rrjetit zingjiror të shtetit qaty çka kanë funksionu, kanë qenë me e fshehë rastin, me insistu tek mjekja që me thanë që pas rrahjes që ka vdek këtu, sulm infarkt ose diçka.” , u shpreh ai.
Ai tha se e gjithë ngjarja po duket e planifikuar.
“Ne nuk kemi fakte, nuk mundem me thanë në mënyrë direkte, po në video siç shihet, planifikim duket, polici civil rasisht po e ngreh nga vetura, është një grua aty bërtet ‘mani, çka jeni t’u i bo djalit e mbyte’.”, tha ai.
Zejnullahu ka ndërruar jetë të dielën pak minuta para mesnate ndërsa ende nuk dihet saktë se si ka ardhur vdekja e tij.
Ky është rasti i dytë i dhunës nga policët për një kohë të shkurtër. Një i tillë ishte pak ditë më parë në Lipjan kur tre policë e rrahin një person në shtëpinë e tij. /Lajmi.net/