Pallaska: Sondazhet – një tallje publike, ato do t’i frikësojnë votuesit që rreshtohen prapa “fituesit”

Avokati i njohur Dastid Pallaska ka kritikuar sondazhet të cilat po realizohen në prag të zgjedhjeve në Kosovë.

Lajme

22/01/2021 22:51

Pallaska nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se sondazhet po përgatiten e po mbikëqyren nga njerëz në konflikt të interesit dhe po janë gjysmake.

Sipas Pallaskës, arsyetimi i këtyre sondazheve në televizione është tallje publike dhe rezultati i këtij jo-profesionalizmi do të jetë i dëmshëm, sipas tij kjo do t’i frikësojë dhe detyrojë votuesit të rreshtohen prapa fituesit.

Me këtë diskurs sipas Pallaskës, do të ketë zgjedhje me aklamacion sipas tij që është metodë e sistemeve totalitare.

Ky është postimi i tij:

Me publiku’ sondazhe (i) që janë përgatitur/mbikëqyrur nga persona që janë në garë dhe kanë konflikt të hapur të interesit; apo (ii) sondazhe gjysmake për disa komuna në rast të zgjedhjeve parlamentare është papërgjegjësi totale.
Me i arsyetu këto sondazhe në televizion është tallje publike.
Edhe nëse e gjithë kjo marrëzi mediale i pëshkruhet joprofesionalizmit dhe jo keqbesimit, rezultati është tejet i dëmshëm – frikësimi dhe detyrimi i votuesit të rreshtohet prapa “fituesit” të projektuar për t’i shpëtuar ndëshkimit nga regjimi i ri. Një profeci tipike vetëpërmbushëse!
Me këtë diskurs helmues, do të kemi zgjedhje me AKLAMACION, e cila – për arsyet më sipër – ishte metodë e preferuar e “zgjedhjeve” në sistemet totalitare.
Për të ruajtur shëndetin mendor dhe për të mbrojtur bindjen politike nga ky sulm i paprecedentë ndaj votës së lirë, është e domosdoshme të injorohet ky spektakël medial pa shije.
Kosova është e vogël. Të gjithë njihemi me njëri tjetrin. Nuk kemi nevojë për sondazhe e as analiza koti për të vendosur se për kë do votojmë me 14 shkurt. /Lajmi.net/