Pak javë para rrënimit të objekteve pa leje në Leshak, serbët atje thonë se janë në gjendje edhe të paguajnë vetëm mos t’iu rrënohen shtëpitë
Pak javë kanë mbetur deri kur do të rrënohen shtëpitë dhe objektet e ndërtuara pa leje në veri të Kosovës, vendim ky që është marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme. MPB i ka urdhëruar banorët e këtyre shtëpive e që janë serb që t’i lirojnë hapësirat shtetërore më së largu deri me 28 qershor…

Lajme
Pak javë kanë mbetur deri kur do të rrënohen shtëpitë dhe objektet e ndërtuara pa leje në veri të Kosovës, vendim ky që është marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
MPB i ka urdhëruar banorët e këtyre shtëpive e që janë serb që t’i lirojnë hapësirat shtetërore më së largu deri me 28 qershor të këtij viti, shkruan lajmi.net.
Këta qytetarë, të cilët i kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në prona të Republikës së Kosovës, vendosën të mos aplikojnë për legalizim në zyrat e Komunës së Leposaviqit kur ishte koha, pasi që të njëjtit përmes disa dokumenteve pretendojnë se gëzojnë të drejtën e pronës në atë rrugicë, por nga dokumentet e lëshuara nga institucionet e Kosovës, nuk posedojnë.
Gazetari i lajmi.net, Selim Miftari ka shkuar në Leshak të Leposaviqit, dhe ka biseduar me këta qytetarë, e njëri prej të cilëve ka thënë prapa kamerave tërthorazi se nuk posedojnë leje të tilla.
Sipas tij, këto leje i kishin marrë vetëm për objekte të përkohshme të dislokueshme.
“Shtëpitë janë ndërtuar para rreth 20 viteve e më shumë. Sipas këtyre dokumenteve që keni marrë, njerëzit për t’u marrë me profesione të caktuara, kanë marrë leje lokale për ndërtimin e objekteve montazh, të cilat i kanë sjellë nga objektet e tyre të zhvendosura prej qendrës dhe i kanë vendosur këtu ku u është caktuar vendi i dislokimit. Në ndërkohë u paraqit nevoja për përkujdesjen për njerëzit dhe familjet e mandej është vazhduar me ndërtime të forta për t’i vendosur familjet e tyre dhe për të jetuar e jo për të thyer ndonjë rregull apo çfarëdo tjetër”, ka thënë ai për lajmi.net.
Ata kanë thënë se këto leje i kanë marrë nga UNMIK-u pasi që atëherë nuk kishte administratë të Kosovës.
Lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në MPB për t’i pyetur se çka pritet të bëhet me këto objekte të vendosura pa leje, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. /Lajmi.net/
Për më shumë ndiqeni videon: