“Paga minimale, shtesat, veriu…” – Kurti publikon bilancin e mandatit të tij të dytë qeverisës, çka po cilëson si të arritura?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një përmbledhje të të arriturave të Qeverisë Kurti 2, duke e cilësuar atë si bilancin e pesë viteve të qeverisjes, nga viti 2021 deri në vitin 2026. Përmes një postimi, Kurti ka thënë se pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, vendi ka…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një përmbledhje të të arriturave të Qeverisë Kurti 2, duke e cilësuar atë si bilancin e pesë viteve të qeverisjes, nga viti 2021 deri në vitin 2026.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se pas zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, vendi ka stabilitet të plotë institucional për funksionim demokratik, zhvillim ekonomik dhe përparim shoqëror në katërvjeçarin e ardhshëm, transmeton lajmi.net.
Ai ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme do të jetë gati edhe drafti i programit të ri qeverisës, ku do të përfshihen zotimet me të cilat partia e tij fitoi sërish zgjedhjet.
Në postimin e tij, Kurti ka rikujtuar edhe kohëzgjatjen e qeverive të udhëhequra prej tij, duke theksuar se Qeveria Kurti 1 zgjati vetëm katër muaj, Qeveria Kurti 3 shtatë muaj e dy ditë, ndërsa Qeveria Kurti 4 nisi më 13 shtator 2026. Sipas tij, të arriturat kryesore për Kosovën dhe qytetarët janë realizuar gjatë mandatit të dytë qeverisës.
Dokumenti i publikuar nga kryeministri përfshin 26 fusha të qeverisjes, të ndara në gjashtë kapituj kryesorë: ekonomi, çështje sociale, siguri, qeverisje lokale, çështje kombëtare dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Në fushën ekonomike, dokumenti thekson rritjen e bruto produktit vendor nga rreth 7 miliardë euro në 11.4 miliardë euro, uljen e papunësisë nga 25.8 në 10.8 për qind dhe rritjen e pagës minimale në 500 euro, nga 1 korriku 2026.
Po ashtu, përmendet rritja e pagave mesatare, investimet e huaja, mbështetja për bizneset dhe fermerët, si dhe përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike.
Në aspektin social, përmbledhja përfshin masat mbështetëse për familjet dhe qytetarët, shtesat për fëmijë, mbështetjen për gratë dhe të rinjtë, si dhe investimet dhe reformat në arsim, shëndetësi, kulturë dhe sport.
Sa i përket sigurisë, dokumenti rendit investimet në mbrojtje dhe ushtri, luftimin e krimit dhe korrupsionit, forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe shtrirjen e ligjshmërisë në veri të vendit.
Në kapitullin për qeverisjen lokale përmenden fuqizimi i komunave, mbështetja për komunitetet joshumicë, digjitalizimi i shërbimeve dhe reforma e administratës publike. Ndërsa në aspektin kombëtar dhe ndërkombëtar, theksohen mbështetja për Luginën e Preshevës, integrimi me Shqipërinë, përfshirja e mërgatës dhe progresi drejt Bashkimit Evropian.
Sipas dokumentit, gjatë kësaj periudhe janë ndarë edhe rreth 1.3 miliardë euro në formë të mbështetjes së drejtpërdrejtë për qytetarët dhe familjet, ndërsa përmendet edhe mbyllja e 62 strukturave ilegale të Serbisë.
Kurti ka theksuar se përmbledhja paraqet punën e qeverisë në këto pesë vite dhe se vlerësimi përfundimtar i takon qytetarëve.
Dokumenti i plotë, me titullin “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2 (2021–2026)”, përmban 57 faqe dhe paraqet të dhënat dhe pretendimet e qeverisë në 26 fusha të ndryshme të qeverisjes.