Pacolli: Nuk po e njoh këtë LDK, Thaçi do t’i fitojë zgjedhjet

Në vijim të bisedës në emisionin Rubikon, Behgjet ka thënë se partitë duhet të ulen dhe të bisedojnë për të zgjidhur situatën. Ai ka shtuar se nuk po e njeh këtë LDK, që po e sheh në mesin e partive të vogla, dhe ka shtuar se Thaçi do t'i fitonte zgjedhjet e reja. 

Lajme

06/11/2014 20:45

(E plotësuaer)

“Partitë politike duhet të ulen me fituesin e zgjedhjeve dhe të bisedojnë. Për hir të papunësisë, të zhvillimit ekonomik, të ulen e të merren vesh për një bashkëqeverisje, ta zëmë për një vit, një vit e gjysmë, dhe të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe deri atëherë të kryhen reformat zgjedhore”, ka thënë ai.

Sipas Pacollit, LDK-ja është dashur të marrë përgjegjësi për Kosovën.

“Një përgjegjësi shumë të madhe e ka z. Mustafa me LDK-në sepse është pothuajse partia më e madhe në vend, ndër më të mëdhatë. LDK nuk e njoh si një parti e cila mbetet në një pozitë ku nuk bën asgjë për zgjidhjen e situatës. Kjo parti duhet të marrë përgjegjësi për Kosovën”.

“Po të isha një parti parlamentare, sigurisht do të luftoja deri në fund që të mos ketë ngërç politik. Për hir të interesit të qytetarit, situata do të shkonte ndryshe. Besoj se asnjëherë z. Thaçi nuk ka pasur ndonjë takim serioz me palën tjetër dhe atij asgjë nuk i është kërkuar nga pala tjetër. T’i kërkohet, të bëhen kërkesat dhe ai të përgjigjet. Si a do t’iu përgjigjet nuk e di fare”, ka thënë ai.

Pacolli ka folur edhe për përvojën e tij me disa krerë të institucioneve të vendit derisa ishte zgjedhur president e pastaj edhe zëvendëskryeministër.

“Jam i zhgënjyer me politikë-bërjen në Kosovës, dhe ky zhgënjim së pari është me rezultatin e zgjedhjeve të fundit,  kur ne nuk arritëm të kalojmë pragun, dhe, së dyti, me krejt atë që po ndodh në Kosovë. Kjo më ka shtyrë që të tërhiqem nga skena politike aktualisht”, ka thënë Pacolli.

Sa i përket rrëzimit nga posti i presidentit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, 45 ditë pas zgjedhjes, ai ka thënë se ka qenë viktimë e atij procesi dhe se nuk ka dashur ta bllokojë procesin.

Për këtë ai ka akuzuar Jakup Krasniqin, atëbotë kryeparlamentar, për të cilin ka thënë se ka inskenuar  aso situate që Pacolli të jetë viktimë e shkeljeve kushtetuese.

“Ju e dini që ai ka tentuar të jetë president i shtetit në atë kohë. Me PDK-në kemi pasur marrëveshje dhe unë kam pritur që ajo të zbatohet. Kam dëshmi dhe më është thënë se Krasniqi ka inskenuar që deputetët të dalin jashtë dhe votimi të mos shkojë siç duhet”.

Pacolli ka kujtuar se as kur kishte bërë koalicion me PDK-në, askush nuk ka dashur që të bëjë koalicion me të.

“Unë e kam ditur se duke qenë Hashim Thaçi kryeministër, unë zor do të mund të arrij të bëj diçka në programin tim. Hashim Thaçi është goxha autokrat, sepse nuk e dëgjon askënd, vendimet i merr vet, por është i kujdesshëm”, ka thënë Pacolli.

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli tha se nga mënyra se si ka nisur iniciativa e bashkimit të partive LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje është kundër interesit të qytetarëve.

Ai në “Rubikon” të KTV-së tha se në VLAN asnjëherë nuk ka paraqitur një program ekonomik.

Sipas tij, mosparaqitja e një programi do të jetë pengesë e tyre për ta bërë qeverinë.

“Asnjëherë VLAN nuk do të ketë sukses. Asnjëherë nuk do të arrijnë në këtë mënyrë që të formojnë një qeveri”, tha Pacolli.

“Absolutisht nuk shoh asnjë shans që këta të jenë të aftë të formojnë një qeveri. Qytetari e ka kuptuar se ata s’janë bashkuar për interesin e qytetarëve”, vijoi kreu i AKR-së.

“Asnjëherë s’është folur nga ata për një program ekonomik. S’kanë paraqitur asnjë program dinjitoz në mënyrë që ta bindin qytetarin e Kosovës, që ne do të bëjmë këtë dhe këtë”, tha mes tjerash Pacolli në Rubikon.