Ozil kërkon falje

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil i ka kërkuar falje tifozëve të gjigantit londinez që i injoroi ata pas përfundimit të ndeshjes kundër Manchester Cityt. Arsenali u dominua nga kundërshtari në Etihad Stadium dhe pësoi humbje me rezultat të thellë 6:3. Pas përfundimit të takimit, futbollistët mysafirë shkuan për t’i falënderuar tifozët e tyre të pranishëm…

Sport

14/12/2013 21:02

Mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil i ka kërkuar falje tifozëve të gjigantit londinez që i injoroi ata pas përfundimit të ndeshjes kundër Manchester Cityt.

Arsenali u dominua nga kundërshtari në Etihad Stadium dhe pësoi humbje me rezultat të thellë 6:3. Pas përfundimit të takimit, futbollistët mysafirë shkuan për t’i falënderuar tifozët e tyre të pranishëm në stadium por Ozil u nis drejt në zhveshtore.

Në fakt, qendërmbrojtësi i Arsenalit, Per Mertesacker e ftoi atë t’i bashkohet të tjerëve por bashkëlojtari i tij gjerman e injoroi thirrjen e tij duke e hidhëruar keq atë. Por, nuk shkoi gjatë dhe Ozil ka kërkuar falje.

“Kërkoj falje që nuk i kam falënderuar tifozët në fund të takimit. Ju keni qenë të shkëlqyeshëm ndaj meje dhe e di se keni udhëtuar gjatë dhe keni shpenzuar para për të na përkrahur. Por, isha i hidhëruar me rezultatin dhe e di se është dashur të vija afër jush për t’ju thënë ‘Faleminderit’ dhe e di se është një traditë e madhe e Arsenalit, në fitore, humbje ose barazim”, shkroi Ozil në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.