OVL-UÇK: Refuzimi i vizitave në Hagë nga Specialja, akt i ulët dhe i turpshëm
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka thënë se refuzimi i vizitave në Hagë është një akt i ulët dhe i turpshëm. Në një reagim të lëshuar OVL UÇK bën të ditur se me zemërim të thellë njoftojnë se Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes vendimeve të pashembullta dhe të njëanshme, kanë refuzuar dy…

Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka thënë se refuzimi i vizitave në Hagë është një akt i ulët dhe i turpshëm.
Në një reagim të lëshuar OVL UÇK bën të ditur se me zemërim të thellë njoftojnë se Dhomat e Specializuara në Hagë, përmes vendimeve të pashembullta dhe të njëanshme, kanë refuzuar dy kërkesa zyrtare për vizita të përfaqësuesve të OVL UÇK-së te bashkëluftëtarët tanë të burgosur.
“Vizita e kërkuar më 21 prill 2025 nga z. Fehmi Gucati, z. Hysni Gucati dhe z. Bedri Ahmeti te z. Shala, z. Krasniqi dhe z. Mustafa u refuzua pa asnjë arsyetim të arsyeshëm. Po ashtu, më 14 maj 2025, u refuzua vizita te z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për të cilët kërkuam të qëndrojmë pranë në mënyrë njerëzore dhe morale”.
“Gjithashtu, jemi të informuar se edhe z. Rexhep Selimi ka bërë kërkesë për të lejuar këtë vizitë. Kjo kërkesë është ende në procedurë, por ne e dimë mirë çfarë përgjigjeje do të vijë,një tjetër JO, e padrejtë dhe e padenjë”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së.
Ndër tjera, kjo roganizatë shton se kjo është një qasje përjashtuese, përçmuese dhe selektive, sipas OVL UÇK-së, kjo është dëshmi e qartë se Dhomat e Specializuara nuk kanë për qëllim drejtësinë, por poshtërimin e përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës.