Osmani reagon ashpër ndaj mediave: Vajzat e mia të mitura po përndiqen e rrezikohen nga disa të ashtuquajtur gazetarë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj disa mediave të cilat, sipas saj, po përndjekin në mënyrë të kundërligjshme dhe të rrezikshme vajzat e saj të mitura. Përmes një postimi publik, ajo ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj disa “të ashtuquajtur gazetarëve”, të cilët, sipas saj, kanë ekspozuar rrezikshëm vajzat e saj në…

Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj disa mediave të cilat, sipas saj, po përndjekin në mënyrë të kundërligjshme dhe të rrezikshme vajzat e saj të mitura.
Përmes një postimi publik, ajo ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj disa “të ashtuquajtur gazetarëve”, të cilët, sipas saj, kanë ekspozuar rrezikshëm vajzat e saj në publik, raporton lajmi.net
“Për pesë vite me radhë, vajzat e mia kanë shkuar në shkollën publike ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë… Jam falënderuese përjetësisht ndaj mësueses së tyre të shkollës fillore… edhe ndaj pjesës tjetër të stafit të shkollës dhe udhëheqjes së shkollës për bashkëpunimin e tyre me prindërit”, ka shkruar Osmani, duke sqaruar se vajzat e saj, sikur edhe nxënësit tjerë, janë përballur me sfida të mëdha si mungesë pastrimi, ujë, rrymë e ngrohje, bllokada të toaleteve, mungesë sigurie dhe konfiskim të mjeteve të rrezikshme.
Ajo ka kritikuar mediat që, sipas saj, nuk raportuan asnjëherë për këtë realitet, por përkundrazi rrezikuan sigurinë e fëmijëve të saj.
“Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë… nuk kanë shkruar se Presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë… E vetmja gjë që bënin… ishte rrezikimi i sigurisë së vajzave të mia, të cilat shkonin çdo ditë në shkollë publike, duke publikuar vendndodhjen e tyre, klasat e tyre, incizime të paautorizuara të fytyrës së tyre, pa asnjë leje paraprake.”
Presidentja ka thënë se prania e policisë pranë fëmijëve të saj është e ligjshme dhe e domosdoshme, sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë.
“Natyrisht që policia është prezente, sepse kjo u kërkohet me ligj dhe, sipas vlerësimit të vetë policisë, vajzat e mia hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë… Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë.”
Ajo ka shtuar se pjesë e rrezikut janë pikërisht disa nga gazetarët që, sipas saj, në vend të informimit, po kontribuojnë në rrezikimin e jetës së fëmijëve.
“Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë.”
Osmani paralajmëron masa ligjore kundër këtyre veprimeve.
“Prandaj, do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj.”
Ajo shprehet e shqetësuar edhe për ndikimin psikologjik që këto veprime mund të kenë tek fëmijët.
“Këto incizime të paautorizuara, shpesh deri në nivel të përndjekjes, për fëmijët krijojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe psikologjik, me pasoja afatgjata.”
Ndërrimi i shkollës, sipas Presidentes, nuk ka ndodhur për arsye privilegji, por për shkak të rrethanave të sigurisë dhe ndryshimit të vendbanimit.
“Ndryshimi i lokacionit të shkollës është bërë për shkak të problemeve të shkaktuara nga niveli i rrezikshmërisë së lartë dhe për shkak të ndryshimit të lokacionit ku jetojmë…”
Në fund të reagimit, ajo thekson se si Presidente nuk ka kompetenca në çështjet e sistemit arsimor.
“Si Presidente nuk kam asnjë kompetencë të vetme në çështje që lidhen me sistemin arsimor, përveç se të jap sugjerime – gjë që e kam bërë vazhdimisht…”
Postimi i plotë: