Osmani për vërshimet në Kosovë: Situata kërkon kujdes maksimal, qytetarët të respektojnë udhëzimet e institucioneve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët që, sipas saj, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme në disa zona të vendit. “Sinqerisht mirënjohëse për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme, po reagojnë me…
Lajme
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje për institucionet dhe qytetarët që, sipas saj, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme në disa zona të vendit.
“Sinqerisht mirënjohëse për të gjitha institucionet dhe qytetarët që, përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve të sotme, po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës”, ka shkruar Osmani, transmeton lajmi.net.
Ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë me institucionet qendrore.
“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka nënvizuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, në bashkëpunim me organet e rendit, po punon pa ndërprerje, ndërsa ka falënderuar edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e saj të plotë.
“Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit. Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja”, ka shkruar Osmani.
Në fund, presidentja u ka bërë thirrje qytetarëve për vigjilencë dhe respektim të udhëzimeve zyrtare, duke theksuar se vetëm bashkëpunimi dhe reagimi profesional mundësojnë përballimin e suksesshëm të situatës.
“Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente”, ka përfunduar Osmani./lajmi.net/