Osmani: 7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar rolin e madh që ka pasur shkolla shqipe në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës së popullit shqiptar. Përmes një mesazhi publik, Osmani ka theksuar se kjo datë përfaqëson shumë më tepër sesa një festë, duke e…

Lajme

07/03/2026 10:54

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar rolin e madh që ka pasur shkolla shqipe në ruajtjen e identitetit dhe gjuhës së popullit shqiptar.

Përmes një mesazhi publik, Osmani ka theksuar se kjo datë përfaqëson shumë më tepër sesa një festë, duke e cilësuar si simbol të qëndresës dhe mbijetesës së kombit përmes gjuhës, transmeton lajmi.net.

“7 Marsi është festa e shpirtit të kombit tonë, i cili mbijetoi falë gjuhës shqipe”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka rikujtuar se në periudha të vështira historike, shkolla shqipe është zhvilluar edhe në kushte të rënda, në shtëpi dhe bodrume, falë përkushtimit të mësuesve shqiptarë.

“Shkolla shqipe ishte akt qëndrese, në shtëpi, në bodrume e në kushte sakrifice. Në kohë përndjekjesh, mësuesit shqiptarë nuk u dorëzuan. E mbajtën gjallë gjuhën, librin dhe ëndrrën e një kombi që donte të jetonte i lirë”, ka theksuar presidentja.

Osmani ka shtuar se nga bankat e para të shkollës deri në universitet, misioni mbetet i njëjtë: edukimi i brezave që e duan gjuhën, atdheun dhe lirinë.

Në fund të mesazhit të saj, ajo ka shprehur mirënjohje për kontributin e mësuesve në edukimin e brezave dhe forcimin e themeleve të shtetit, duke uruar të gjithë mësuesit për 7 Marsin./lajmi.net/