OSBE i jep Policisë së Kosovës dy pajisje për detektimin dhe numërimin e parave të falsifikuara

Më 13 gusht 2025, Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit  pranoi nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, dy pajisje për detektimin dhe numërimin e parave të falsifikuara (si për kartëmonedha ashtu edhe për monedha metalike), si pjesë e vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.…

Lajme

13/08/2025 15:51

Më 13 gusht 2025, Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit  pranoi nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, dy pajisje për detektimin dhe numërimin e parave të falsifikuara (si për kartëmonedha ashtu edhe për monedha metalike), si pjesë e vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ceremonia e pranim-dorëzimit u zhvillua në prani të Kolonel Gazmend Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Drejtorit të Departamentit të Hetimeve dhe Drejtorit të Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa Misioni i OSBE-së u përfaqësua nga ztr. Bertram Welsing, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik.

“Ky donacion është vazhdim i “Trajnimit të Specializuar mbi Hetimin e Parave të Falsifikuara”, i cili u realizua nga Misioni i OSBE-së në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë këtij viti.  Këto pajisje do të ndikojnë ndjeshëm në punën e kësaj drejtorie, veçanërisht në rastet e sekuestrimit të parave që dyshohet të jenë të falsifikuara. Pajisja e Policisë së Kosovës me këto detektorë të valutës së falsifikuar dhe makinat për numërimin e parave do të përshpejtojë rrjedhën e punës operative, do të përmirësojë efikasitetin e përgjithshëm dhe do të ulë kohëzgjatjen e procedurave të ndjekjes”, ka njoftuar Policia e Kosovës. /Lajmi.net/