Ortopedia e Spitalit të Mitrovicës nuk ka listë të pritjes

Reparti i Ortopedisë në spitalin e përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është i furnizuar rregullisht me material të nevojshëm mjekësor për trajtim të pacientëve që nuk kanë nevojë të presin për shërbime. Ortoped-traumatologu Enver Beqiri thotë për KosovaPress se në këtë spital mbi 700 ndërhyrje ortopedike janë kryer vetëm vitin e kaluar. “Gjatë vitit…

Lajme

13/04/2025 13:31

Reparti i Ortopedisë në spitalin e përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është i furnizuar rregullisht me material të nevojshëm mjekësor për trajtim të pacientëve që nuk kanë nevojë të presin për shërbime.

Ortoped-traumatologu Enver Beqiri thotë për KosovaPress se në këtë spital mbi 700 ndërhyrje ortopedike janë kryer vetëm vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2024 kemi kryer 709 operacione, kryesisht nga trauma, nga aspekti i traumatologjisë në repartin tonë dhe ka pasur edhe nga eligamento-plastika edhe nga protezat që kemi bërë proteza të gjunjëve dhe proteza të kërdhokullës”, tha ai.

Ortopedi Beqiri tregon se pacientët që kërkojnë trajtim shëndetësor në këtë repart nuk ka listë të pritjes, madje ata që pranohen si raste urgjente trajtohen edhe më shpejt.

Reparti i Ortopedisë në Mitrovicë vazhdimisht është i furnizuar me materialin mjekësor të nevojshëm për trajtim të pacientëve.

“Listë të pritjes këtu nuk ka, kështu trajtimi i pacientëve ata që i pranojmë nga emergjenca si raste urgjente, veç i përgatisim me analiza e konsultime. Krejt përgatitja bëhet për qëllimin e operacionit, pastaj trajtimi post-operativ në dhomat e repartit… Kryesisht është mirë edhe me material osto-sintetik që e përdorim për trauma, por edhe furnizimi me barna dhe material sanitar është i mirë dhe nuk ka ankesa,” shprehet Beqiri.

Ky shërbim në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës ka në dispozicion dy salla operative dhe dy dhoma me gjithsej 14 shtretër për pacientët. Ndërsa, janë 7 ortopedë dhe 13 staf mbështetës për ofrojnë shërbime ortopedike për qytetarët.

Beqiri konsideron se ky numër i të punësuarve është i mjaftueshëm për momentin.

“Ortopedë jemi 7, teknik kuadër i mesës janë 13….Në bazë të kushteve që ne punojmë, besoj që është numër i mjaftueshëm, pastaj që në të ardhmen që hapësira të jetë më e madhe, se kjo që e shihni dhe konform hapësirës, edhe numri i mjekëve dhe stafit tjetër shëndetësor duhet të rritet”, deklaroi ai.

Të kënaqur me shërbimet shëndetësore që marrin në repartin e ortopedisë në qytetin e Mitrovicës shprehen edhe pacientët.

Ganimete Musliu nga Mitrovica, e cila kishte kryer një ndërhyrje kirurgjike në këtë repart, thotë se falë mjekëve trajtimi i saj shëndetësor po shkon shumë mirë.

“Mirë kam kaluar, më kanë pritur mirë, dorën e kam operuar. Shumë-shumë (e kënaqur), doktor Enveri më ka operuar, jam shumë e kënaqur…Nuk kemi telashe, po kalojmë shumë mirë”, thotë ajo.

Spitali i Përgjithshëm “Dr.Sami Haxhibeqiri” Mitrovicë ka filluar punën në vitin 1950. Ai ka statusin si institucion publik për nivelin dytësor të kujdesit shëndetësor dhe është pjesë përbërëse e njësi organizative e SHSKUK – Prishtinë.