Origjina e katastrofës

Siguria racionale Perëndimore ka dalë, prej fundit të Shekullit XIX e tutje, si burimi kryesor i zhvillimeve më iracionale, më të çuditshme dhe më të çmendura në Perëndim.

Opinion

08/04/2019 10:03

Librin e saj të fundit, Madeleine Albright, Kryediplomatja amerikane në vitet 1997-2001, ia ka kushtuar dukurisë politike  (dhe jo vetëm politike), të Fashizmit.

Titulli i librit është ‘Fascism”  (A Warning).

Ajo është e bindur, dhe këtë zatën e ilustron me shembujtë e shumtë anëkënd Rruzullit Tokësor, që edhe Epoka e jonë po përballet me motërzimet e shumta të Fashizmit. Për këtë shkak, edhe brezit tonë i ka ra hise ta luftojë ate.

Albright, gjatë njërës prej ligjeratave të saja me studentë, kur ishte trajtuar kjo temë, i kishte pyetur ata: ‘A mundet Lëvizja fashiste të krijojë një vend të vetin edhe në Shtetet e Bashkuara?’.

Me të parën, me një pohim i ishte përgjigjur një student.

Në arsyetimin e tij pse diçka e tillë është e mundur edhe në SHBA, ai kishte thënë: ‘Fashizmi mund të ndodhë edhe tek ne, sepse ne jemi të sigurtë që ai nuk mund të lëshojë rrënjë në SHBA’.

Siguria racionale Perëndimore ka dalë, prej fundit të Shekullit XIX e tutje  (kur Evropa e Perëndimit shënon kulminacionin e zhvillimit shkencor, kulturor dhe qytetërues), si burimi kryesor i veprimeve dhe zhvillimeve më iracionale, më të çuditshme, më paradoksale dhe më të çmendura në këtë Qytetërim.

Me 22 tetor të vitit 1895-së (fotografia mund të shihet lehtë, me një kërkim të shpejtë në Google), një lokomotivë e trenit ra midis qytetit në Paris, nga platforma hekurudhore, (nga ‘kati i dytë), në largjen Montparnasse.

Diçka e tillë ishte e paimagjinueshme më parë. Supozohej që ky shpërthim dhe revolucioni industrial, i cili kishte marrë edhe pamjen e trenave të shpejtë, është i pagabueshëm.

Me 14 prill të vitit 1912-të, në ujërat e Atlantikut u fundos Titanic, anija që shfaqte përsosmërinë e sundimit planetar Perëndimor në dije, në shkencë, në teknologji.

Llogaritej që Titanic nuk mund të pësonte kurrë fatkeqësi të tillë.

Në verën e vitit 1914-të, shtetet e mëdha evropiane hynë në Luftën e Madhe  (më vonë ajo do të klasifikohej si Lufta e Parë Botërore), kot së koti, pa një shpjegim të qëndrueshëm racional, pa justifikim të mirëfilltë politik.

Me 4 prill të këtij viti, çatia e Parlamentit të Britanisë së Madhe  (House of Commons), nisi të pikojë.

Këto ishin pamje shokuese në Parlamentin/ Demokracinë më të vjetër të Evropës dhe të Perëndimit.

Ishte ky një tjetër ogur, siç u shprehën menjëherë shumë komentues britanik, që diçka e keqe, shumë e keqe po i ndodhë Britanisë së Madhe.

Dihet që Kryeministrja e Qeverisë së Britanisë së Madhe, Theresa May, ka shënuar dështim pas dështimit në përpjekjet e saja që Mbretëria e Bashkuar, të del me Marrëveshje nga Bashkimi Evropian, apo që Brexit të mos mbetet  (çfarë në realitet është), një L-Exit.

L-Exit: Një dalje apo largim nga logjika. Nga ai Racionalizmi Perëndimor.

Çfarë i ka ndodhë në të vërtetë Britanisë së Madhe, me 23 qershor të vitit 2016, kur qytetarët e këtij shteti në Referendum u përcaktuan për braktisjen e BE-së, me gjasë, më së miri mund të mirret vesh për 92 minuta të një filmi televiziv artistik që u shfaq në fillim të këtij viti.

Bëhet fjalë për filmin ‘Brexit: The Uncivil War’, i regjisorit Toby Haynes, me skenar të James Graham, dhe me kryeprotagonist Benedict Cumberbatch  (që njihet më së shumti me rolin e Sherlock Holmesit).

Ky është një film artistik që i tëri është i dokumentuar në rrjedhën reale të politikës në Britaninë e Madhe, që mëkëmbi ato katastrofat e trenit midis Parisit dhe të Titanicut në Atlantik, tani, në formë të një vetë-fatkeqësie dhe vetë-përmbysjeje politike të demokracisë më të vjetër të Perëndimit të ri  (nëse këtu lihet anash Perëndimi dhe Demokracia Antikee Athinës dhe Romës).

Emri dhe mbiemri i autorit të fushatës së suksesshme të Brexitit është Dominic Cummings  (të cilin e luan mjeshtërisht Benedict Cumberbatch), një ‘Spin Doctor’, të cilin më parë, David Cameron, Kryeministri britanik  (ai që bëri zotimin për Referendum, për ta siguruar një fitore zgjedhore të Partisë Konzervative, dhe për ta sjellë një disfatë historike të Britanisë së Madhe), e kishte kualifikuar si një ‘psikopat të karierës’.

Cummings në filmin ‘Brexit: The Uncivil War’, na del si protagonisti i vetëm  (fillikat i vetëm), në gjithë rrëmujën dhe pështjellimin e skenës politike dhe mediatike angleze, i cili e di çka do, dhe i cili, për më shumë, e di se si rreh damari i një britaniku mesatar.

Mënyra e vetme për ta ndryshuar drejtimin që ka marrë historia është kjo: Mbyte mendjen/ dijen e zakonshme.

Ky ishte hapi nismëtar i Cummingsit në luftën e tij politike dhe propagandistike, e cila do të përkrahet me mjete dhe me deklarata nga politikanët e caktuar britanik  (në radhë të parë nga Boris Johnson dhe Nigel Farage).

Njerëzit e arsimuar janë budallenj. Vazhdon tutje Cummings.

Pastaj, ai ndërton hap pas hapi, Strategjinë e tij për ta fituar këtë Referendum, i cili, përndryshe, sipas vlerësimit të tij, është mënyra më e marrë për të provuar zgjidhja e një problemi.

Ai e di këtë, ndërsa qindra politikanët më të rëndësishëm në Britani, nuk e dinë këtë.

Rezultati dihet. Tash e gati tre vjet.

Cummings e di poashtu që udha e vetme për të dalë fitues në këtë përplasje të madhe  (‘titanike’), është që në fakt, të goditet, pa kurfarë mëshire,politika aktuale britanike, establishmenti, një sistem politik që në masë të madhe, nuk ka më lidhje me qytetarin e rëndomtë.

Ky qëndrim i tij, i bërë bashkë me Algoritmat e Facebook-ut  (një fenomen fare i ri, këtu Cummingsit do t’i ndihmojë Jeff Silvester, nga kompania kanadeze Aggregate IQ, e cila do të shpërndajë mbi një miliard porosi për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja,për përdoruesit e Facebook-ut në Britani), dhe me lajmet e rreme që ai do t’i prodhojë së bashku me politikanët pro-Brexit, do të krijojë masën kritike për ngadhnjimin e madh politik në Referendumin e 23 qershorit të vitit 2016.

Cummings e dinte ku duhej ‘prekur’, kur bëhet fjalë për emocionet, ndjenjat, bindjet e qytetarëve të rëndomtë të Britanisë së Madhe.

Njerëzit janë lën anash. Ata po injorohen. Zëri i tyre nuk dëgjohet. Shqetësimet e tyre nuk mirren parasyshë. Ata janë të mllefosur. Ata nuk e kanë në kontroll jetën e tyre. Madje, jeta e tyre varet prej burokracisë së Brukselit, e jo më prej Qeverisë së Britanisë së Madhe.

Së shpejti në Britaninë e Madhe do të ‘zbarkojnë’ një milion, apo edhe shtatëdhjetë milionë turq.

Për çdo javë nga Britania e Madhe në BE deponohen 350 milionë funta, të cilat do të mund të përdoreshin në shëndetësinë angleze  (e cila ndryshe, është nën mesataren evropiane).

Kush mërzitej me faktin që nuk ishte rendi që as një mijë turq të vijnë ilegalisht në Britaninë e Madhe, apo që nuk është aspak e vërtetë shuma javore prej 350 milionë funtave.

Cummings e kishte timonin e fushatës në dorë. Ai e dinte që britanikët mesatarë janë të pakënaqur me gjithçka, prandaj, ata kishin nevojë për një skemë fare të thjeshtë të fajit dhe adresës me një emër (pa shpjegime të ndërlikuara), për këtë pakënaqësi të tyre.

Adresa ishte BE-ja. Shpëtimi ishte që Britania e Madhe të bëhet sërish me adresën e vet si shtet, pa pasë gjë lidhje me BE-në.

Projekti frikë / urrejtje, i ndërtuar mbi atë ndjenjën reale të pakënaqësisë masive të britanikëve, u tregua model i suksesshëm i Cummingsit.

Ai e ka ditur prej fillimit që pos pakënaqësisë reale, gjithçka tjetër ishte manipulim dhe mjeshtri mediatike.

Asnjëri prej politikanëve që i kishte ndejtur afër,  (e të cilët në filmin ‘Brexit: The Uncivil War’, portretizohen si karikatura politike), nuk kishte besuar që Brexit do të ketë sukses.

Të gjithë ata mendonin që e tëra është një lojë për pushtet dhe për ndikim, e jo një vendim i madh historik i Britanisë së Madhe.

Craig Oliver, i cili ishte strategjist i Qeverisë së Britanisë së Madhe në fushatën për mbetjen e UK në BE, kishte aplikuar metodat tradicionale politike, të gjitha këto duke u bazuar në statistika dhe shënime të sakta, të qëndrueshme, reale.

Britania do të pësonte keq, nëse del prej BE-së: Ky ishte konkludimi i Oliver.

Në fund ai vet do të deklaronte që Referendumi për Brexit pati sukses, sepse e gjithë politika britanike e njëzet viteve të fundit, i kishte kontribuar, në një mënyrë apo tjetrën, bindjes që BE-ja i ka fajet për shumë dështimet politike në Mbretërinë e Bashkuar.

Oliver, poqëse këtu do ta rikthejmë Freudin në analizat politike, (duke aplikuar atë triadën e tij psikanalitike), ishte bazuar tërësisht në Ego-n dhe Super-egon e njeriut  (dhe të shoqërisë, në fakt), ndërsa Cummings në Id-in, apo, në atë pjesën e errët, të panjohur, të paqasshme tek njeriu (dhe tek shoqëria).

Oliver kishte Ideo-logjinë, Cummings, Ido-logjinë.

Zatën, janë të shumtë mendimtarë politikë të cilët viteve të fundit, pas gjithë mësymjes së suksesshme të Popullizmit në politikën e Perëndimit, (i cili më së paku bazohet në problemet sociale dhe ekonomike, për dallim prej Popullizmave në të kaluarën, edhe në formë të Fashizmit), i janë kthyer Freudit dhe Id-it të tij, në kërkim të shpjegimeve për vetë-fundosjen Titanike të politikës Perëndimore.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)